Shtatzënia konsiderohet një periudhë e lumtur për shumicën e grave, por për disa të tjera mund të shndërrohet në një nga sfidat më të rënda psikologjike. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e shpejta fizike dhe hormonale mund të nxisin ose rikthejnë çrregullimet e të ngrënit, një problem që shpesh mbetet i pazbuluar nga sistemi shëndetësor, raporton BBC-ja.
Elizabeth Claydon ishte 27 vjeçe kur mbeti shtatzënë. Ndërsa trupi i saj ndryshonte për të mbështetur zhvillimin e foshnjës, ajo nisi të përballej sërish me mendime që lidhen me anoreksinë, një sëmundje nga e cila kishte vuajtur që në adoleshencë. “Ndonjëherë ndihesha mirë me ndryshimet, por ditë të tjera ishte shumë e vështirë. Shikoja veten në pasqyrë dhe nuk e njihja më veten”, kujton ajo.
Sipas studiuesve, rreth një në 20 gra përjeton një çrregullim të të ngrënit gjatë shtatzënisë. Disa kanë kaluar më parë nëpër këto probleme dhe përjetojnë rikthim të simptomave, ndërsa të tjera përballen me to për herë të parë.
Rritja e peshës, humbja e ndjenjës së kontrollit mbi trupin dhe presionet shoqërore për pamjen fizike mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor.
Pasojat mund të jenë serioze si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Studimet tregojnë se anoreksia dhe bulimia gjatë shtatzënisë lidhen me rrezik më të lartë për komplikime, përfshirë lindjen e parakohshme, peshën e ulët të foshnjës në lindje, mungesat ushqyese dhe probleme të tjera shëndetësore.
Megjithatë, diagnoza shpesh vonohet, pasi disa simptoma mund të ngatërrohen me efektet normale të shtatzënisë, si të përzierat dhe të vjellat, transmeton Gazeta Shneta.
Vështirësitë nuk përfundojnë me lindjen. Ekspertët vlerësojnë se rreth 13% e nënave pas lindjes vuajnë nga çrregullime klinike të të ngrënit. Ndryshimet hormonale, mungesa e gjumit, përgjegjësitë e reja dhe presioni për t’u rikthyer shpejt në formën e mëparshme mund të përkeqësojnë gjendjen.
Megjithatë, specialistët theksojnë se shtatzënia mund të shërbejë edhe si një pikë kthese drejt shërimit. Me mbështetjen e duhur nga mjekët, psikologët, familja dhe grupet mbështetëse, shumë gra arrijnë të ndërtojnë një marrëdhënie më të shëndetshme me trupin dhe ushqimin. /Gazeta Shneta/


