Vaksinimi i grave gjatë shtatzënisë kundër virusit respirator sincicial (RSV) redukton ndjeshëm rrezikun që foshnjat të shtrohen në spital gjatë tre muajve të parë të jetës, sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “JAMA Network Open”.
Studiuesit nga Universiteti i Pitsburgut analizuan efektivitetin e vaksinës RSV te foshnjat deri në moshën 90 ditëshe gjatë dy sezoneve të para pas miratimit të saj për përdorim. Studimi përfshiu 274 foshnja, prej të cilave 83 ishin diagnostikuar me infeksion nga RSV, ndërsa 191 shërbyen si grup kontrolli.
Rezultatet treguan se vetëm 13,3% e foshnjave të shtruara në spital për shkak të RSV-së kishin lindur nga nëna të vaksinuara gjatë shtatzënisë. Në krahasim, 37,2% e foshnjave në grupin kontroll kishin nëna të vaksinuara, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Bazuar në këto të dhëna, studiuesit vlerësuan se vaksina redukton me 67,6% rrezikun e shtrimit në spital për sëmundje akute respiratore të lidhura me RSV-në dhe me 69% rrezikun e shtrimit për infeksione të traktit të poshtëm respirator gjatë 90 ditëve të para të jetës.
Mbrojtja rezultoi edhe më e lartë gjatë muajit të parë pas lindjes. Në 30 ditët e para të jetës, efektiviteti i vaksinës kundër shtrimit në spital për shkak të infeksioneve respiratore të lidhura me RSV-në arriti në 74,2%.
Autorët e studimit theksojnë se gjetjet tregojnë se vaksinimi i nënës gjatë shtatzënisë ofron mbrojtje të rëndësishme klinike për foshnjat në periudhën më të ndjeshme të jetës së tyre.
RSV është një nga shkaktarët më të zakonshëm të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes te foshnjat dhe mund të çojë në komplikime serioze, veçanërisht gjatë muajve të parë pas lindjes. Për këtë arsye, ekspertët e konsiderojnë vaksinimin gjatë shtatzënisë një mjet të rëndësishëm për mbrojtjen e të porsalindurve nga format e rënda të sëmundjes. /Gazeta Shneta/


