Me zhvillimin e teknologjisë mjekësore dhe rritjen e ofertave për analiza të ndryshme shëndetësore, gjithnjë e më shumë njerëz po i nënshtrohen testeve parandaluese në kërkim të sigurisë për shëndetin e tyre. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se jo çdo test është i dobishëm dhe se kontrollet e tepërta mund të sjellin më shumë dëm sesa përfitim.
Skriningu mjekësor nënkupton kryerjen e analizave për të zbuluar sëmundje para se të shfaqen simptomat. Testet si matja e tensionit të gjakut dhe kontrolli i sheqerit në gjak konsiderohen ndër më të vlefshmet, pasi mund të identifikojnë herët probleme si hipertensioni ose diabeti i tipit 2, duke parandaluar komplikime serioze në të ardhmen, shkruan The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, specialistët flasin gjithnjë e më shpesh për fenomenin e “mbiskriningut”, kur personat kryejnë analiza të panevojshme që zbulojnë ndryshime të parëndësishme në organizëm. Këto gjetje shpesh çojnë në ekzaminime shtesë, biopsi, vizita te specialistët dhe shqetësim psikologjik, pa sjellë përfitime reale për shëndetin.
Një shembull janë rezonancat magnetike të të gjithë trupit, të promovuara shpesh si mënyrë për të zbuluar sëmundje të fshehura.
Studimet tregojnë se shumica e personave të shëndetshëm që kryejnë këto ekzaminime marrin rezultate me “anomali” të vogla, të cilat në shumicën e rasteve nuk paraqesin rrezik, por kërkojnë hetime të mëtejshme.
Ekspertët këshillojnë që para kryerjes së çdo testi të ri, njerëzit të konsultohen me mjekun familjar. Ata rekomandojnë të pyesni nëse analiza zvogëlon rrezikun e vdekshmërisë ose paaftësisë, sa shpesh jep rezultate të rreme dhe nëse trajtimi i gjetjeve është më i sigurt sesa mosveprimi.
Sipas specialistëve, rruga më e sigurt drejt shëndetit mbetet ajo më e thjeshta: ushqyerja e balancuar, aktiviteti fizik i rregullt, gjumi cilësor dhe ruajtja e lidhjeve sociale. Shëndeti nuk fitohet vetëm duke mbledhur analiza, por duke ndërtuar zakone të qëndrueshme jetese. /Gazeta Shneta/


