Suplementet ushqyese janë bërë pjesë e përditshmërisë për miliona njerëz që synojnë të përmirësojnë shëndetin, energjinë apo pamjen fizike. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tepërt dhe i pakontrolluar i tyre mund të shkaktojë më shumë dëm sesa përfitim.
Një anketë e fundit tregoi se mbi tre të katërtat e të rriturve marrin rregullisht të paktën një suplement, ndërsa gati një në pesë persona përdor katër ose më shumë produkte çdo ditë. Vitaminat, mineralet, probiotikët dhe suplementet bimore janë ndër më të zakonshmit, shkruan BBC transmeton Gazeta Shneta.
Mjekët raportojnë një rritje të rasteve me probleme të mëlçisë, veshkave dhe sistemit tretës që lidhen me përdorimin e tepërt të suplementeve. Disa produkte, veçanërisht kur merren në doza të larta ose kombinohen mes tyre, mund të kenë pasoja serioze për organizmin.
Një shembull është ai i një gruaje 30-vjeçare nga SHBA, e cila përdorte rregullisht vitaminë C, vitaminë D, kurkumë, preparate kundër fryrjes së barkut dhe pije me elektrolite.
Pas disa vitesh, ajo u diagnostikua me një gur të madh në veshkë që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët e lidhën problemin me kombinimin e suplementeve që konsumonte çdo ditë.
Ekspertët theksojnë se shumë persona nuk e kuptojnë se po marrin të njëjtët përbërës nga produkte të ndryshme, duke tejkaluar sasitë e rekomanduara.
Për shembull, marrja e disa produkteve që përmbajnë vitaminë B6 mund të çojë në dëmtime nervore, ndërsa kombinimi i hekurit, kalciumit dhe magnezit mund të pengojë përthithjen e tyre.
Nutricionistët rekomandojnë që prioritet t’i jepet ushqimit të balancuar dhe jo pilulave. Suplementet mund të jenë të dobishme në raste të caktuara, por duhet të përdoren me këshillën e mjekut dhe vetëm kur ekziston një nevojë reale.
Sipas ekspertëve, ‘më shumë nuk do të thotë gjithmonë më mirë’, kur bëhet fjalë për shëndetin. /Gazeta Shneta/


