Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje urgjente për veprim ndaj krizës klimatike, teksa vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton viktima dhe po rrit rreziqet për shëndetin publik.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se nuk mund të ketë më vonesa në ndërmarrjen e masave për klimën, duke u kërkuar liderëve botërorë të investojnë në sisteme shëndetësore të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.
“Liderët duhet t’i japin përparësi investimeve në sisteme shëndetësore rezistente ndaj klimës, ndërsa njëkohësisht të përshpejtojnë veprimet për të adresuar shkaqet e krizës klimatike”, ka shkruar ai në rrjetin social X.
Sipas OBSH-së, temperaturat në Evropë po rriten me ritëm rreth dy herë më të shpejtë se mesatarja globale, duke shtuar mundësinë dhe intensitetin e valëve të nxehtit në të ardhmen.
Organizata ka bërë thirrje që autoritetet të ndërmarrin masa konkrete, përfshirë krijimin e hapësirave më të freskëta në qytete, sigurimin e qasjes në ujë dhe hije për qytetarët, mbrojtjen e grupeve më të rrezikuara dhe përgatitjen e sistemeve shëndetësore para kulmit të temperaturave.
OBSH thekson se Rajoni Evropian është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë. Gjatë katër viteve të fundit, mbi 200 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta, ndërsa vdekshmëria e lidhur me të nxehtin është rritur me 30 për qind në dy dekadat e fundit.
“Vapa nuk është më vetëm një çështje moti, por një emergjencë shëndetësore”, ka paralajmëruar OBSH.


