Matja e rregullt e tensionit të gjakut në shtëpi dhe ndarja e rezultateve me mjekët mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe komplikimeve të tjera serioze kardiovaskulare, sipas një studimi të ri të realizuar në Skoci.
Hipertensioni, ose tensioni i lartë i gjakut, prek miliona njerëz në mbarë botën dhe konsiderohet një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës. Për shkak se shpesh nuk shfaq simptoma, ai njihet edhe si “vrasësi i heshtur”.
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të pothuajse 450 mijë personave me hipertension gjatë periudhës 2019–2022. Rreth 9.500 prej tyre përdorën një sistem dixhital të quajtur “Connect Me BP”, i cili u mundësonte matjen e tensionit në shtëpi dhe dërgimin automatik të rezultateve te profesionistët shëndetësorë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se përdoruesit e këtij sistemi arritën ulje të tensionit brenda tre muajve të parë dhe e ruajtën këtë përmirësim për të paktën një vit. Për më tepër, ata kishin më pak raste të sulmeve në zemër, goditjeve në tru, shtrimeve në spital dhe vdekjeve krahasuar me pacientët që merrnin kujdesin standard.
Ekspertët besojnë se monitorimi në shtëpi i bën pacientët më të përfshirë në kujdesin për shëndetin e tyre dhe u jep mjekëve më shumë informacion për të përshtatur trajtimin në kohë.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, ndaj nuk mund të provohet plotësisht se telemonitorimi ishte shkaku i vetëm i përmirësimeve.
Për matje sa më të sakta, specialistët rekomandojnë përdorimin e aparateve të certifikuara, matjen në të njëjtën kohë çdo ditë dhe qëndrimin ulur e të qetë për disa minuta para kontrollit të tensionit. /Gazeta Shneta/

