Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open sugjeron se ndjekja e një diete anti-inflamatore mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për zhvillimin e demencës, sidomos te personat që kanë faktorë të rritur rreziku për Alzheimer.
Hulumtimi është bazuar në të dhënat e rreth 1,900 personave mbi moshën 60 vjeç në Suedi, të cilët janë ndjekur për një periudhë 15-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, studiuesit kanë analizuar dietën e tyre dhe shënues biologjikë të lidhur me sëmundjet neurodegjenerative.
Rezultatet treguan se personat që kanë ndjekur dieta të pasura me ushqime anti-inflamatore kishin deri në 29% më pak rrezik për demencë, veçanërisht ata me shenja të hershme të Alzheimerit. Ulje e rrezikut është vërejtur edhe te persona me nivele të larta të proteinave të lidhura me dëmtimin e trurit.
Sipas studiuesve, modele ushqimore si dieta mesdhetare dhe DASH kanë ndikim të rëndësishëm në uljen e inflamacionit në organizëm dhe përmirësimin e shëndetit të trurit. Këto dieta përfshijnë ushqime si fruta, perime me gjethe jeshile, peshk, arra, drithëra të plota dhe vaj ulliri.
Ekspertët theksojnë se edhe pse nuk ekziston një trajtim ushqimor që e shëron demencën, një dietë e shëndetshme mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjes dhe ngadalësimin e përparimit të saj, duke luajtur rol të rëndësishëm në shëndetin afatgjatë të trurit.


