Fëmijët nën moshën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen fare ndaj ekraneve, pasi kjo mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe social.
Ky është përfundimi i një rishikimi të gjerë shkencor të realizuar nga studiues të katër universiteteve në Mbretërinë e Bashkuar.
Studimi, i cili analizoi dhjetëra kërkime mbi përdorimin e televizorëve, telefonave celularë dhe tabletëve nga foshnjat dhe fëmijët e vegjël, tregon se ekspozimi i hershëm ndaj ekraneve lidhet me rreziqe të shumta për zhvillimin e fëmijës.
Sipas studiuesve, koha para ekranit zvogëlon mundësitë që fëmijët të ndërveprojnë me prindërit dhe të luajnë me bashkëmoshatarët, gjë që ndikon negativisht në zhvillimin e gjuhës, aftësive sociale dhe rrit rrezikun e mbistimulimit.
“Dy vitet e para të jetës janë vendimtare për ndërtimin e bazave të shëndetit fizik dhe mendor. Përdorimi i ekraneve në këtë periudhë mund të ketë pasoja për një brez të tërë dhe cilësinë e jetës së tyre në të ardhmen,” theksoi Rafe Clayton, ligjërues në Universitetin e Leeds.
Bazuar në gjetjet, studiuesit rekomandojnë që foshnjat dhe fëmijët nën moshën dy vjeç të mos kenë asnjë ekspozim të rregullt dhe të qëllimshëm ndaj ekraneve. Ata kërkojnë gjithashtu rishikimin e udhëzimeve ekzistuese që sugjerojnë përdorimin e përbashkët të ekraneve ose promovojnë pajisjet digjitale si të përshtatshme për “të gjitha moshat”.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i ekraneve te fëmijët e vegjël është bërë pothuajse universal. Sipas tyre, deri në moshën dyvjeçare shumica e fëmijëve përdorin ekrane çdo ditë, duke tejkaluar rekomandimet e specialistëve.
Një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është ngarkesa e prindërve me detyrimet e përditshme, e cila i shtyn ata të përdorin telefonat, tabletët ose televizorin për t’i mbajtur fëmijët të zënë.
Studiuesit theksojnë se prindërit nuk duhet të mbajnë të gjithë përgjegjësinë, por kërkojnë që institucionet dhe kompanitë e teknologjisë të ofrojnë udhëzime më të qarta dhe të mos promovojnë përmbajtje të destinuar për foshnjat kur provat shkencore tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj ekraneve nuk është në të mirën e tyre.


