Në Klinikën e Ortodoncisë të Qendrës Klinike Stomatologjike të Kosovës (QKSK), gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë trajtuar 346 pacientë me terapi fikse ortodontike.
Sipas njoftimit të QKSK-së, bëhet e ditur se terapia fikse ortodontike është një nga shërbimet e specializuara që ofrohet në këtë klinikë, për trajtimin e anomalive dentare dhe të raporteve ndërnofullore.
Në njoftim thuhet se trajtimi realizohet përmes aparateve fikse (briketa ortodontike), të cilat vendosen në sipërfaqen e dhëmbëve me qëllim korrigjimin e pozicionit të tyre dhe përmirësimin e funksioneve orale.
Po ashtu, theksohet se pacientët i nënshtrohen ekzaminimeve klinike dhe radiologjike, përfshirë ortopantomografinë dhe cefalometrinë, të cilat shërbejnë për vendosjen e diagnozës së saktë dhe hartimin e planit individual të trajtimit.
Sipas QKSK-së, trajtimi ortodontik planifikohet në mënyrë individuale për secilin pacient, duke marrë parasysh moshën, llojin dhe shkallën e anomalisë, si dhe nevojat funksionale e estetike.
Nga QKSK, theksohet se vazhdimi i ofrimit të shërbimeve ortodontike sipas standardeve bashkëkohore mbetet prioritet, me qëllim përmirësimin e shëndetit oral dhe rritjen e qasjes së pacientëve në trajtime të specializuara./Gazeta Shneta/


