Vala e fuqishme e të nxehtit që përfshiu Evropën Perëndimore në fund të qershorit dyshohet se ka shkaktuar më shumë se 4 mijë vdekje shtesë, sipas të dhënave paraprake të publikuara nga autoritetet shëndetësore në disa vende.
Franca raportoi 2,025 vdekje shtesë gjatë javës që nisi më 22 qershor, një rritje prej gati 30% krahasuar me javën paraprake. Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se bilanci përfundimtar mund të jetë edhe më i lartë, shkruan Euronews Health, përcjell Gazeta Shneta.
Edhe Belgjika shënoi një rritje të ndjeshme të vdekjeve, me 1,222 raste shtesë midis 18 dhe 29 qershorit, ose 39% më shumë se zakonisht. Sipas autoriteteve, ky ishte numri më i lartë ditor i vdekjeve që nga vala e parë e pandemisë së COVID-19.
Në Holandë u regjistruan rreth 480 vdekje shtesë gjatë javës 22–28 qershor, ku më të prekurit ishin personat mbi 80 vjeç, ndërsa temperaturat në disa zona iu afruan 40 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Spanjë, Instituti i Shëndetit Carlos III raportoi të paktën 1,028 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara në qershor të vitit 2025.
Autoritetet theksojnë se shifrat janë ende paraprake, por paralajmërojnë se temperaturat ekstreme po ushtrojnë presion të madh mbi sistemet shëndetësore.
Përballë parashikimeve për rikthimin e valëve të të nxehtit, disa qeveri evropiane kanë nisur të hartojnë masa të reja për përballimin e situatave të ngjashme. Në Belgjikë është kërkuar përgatitja e rekomandimeve për forcimin e gatishmërisë, ndërsa në Francë opozita ka kritikuar qeverinë për reagim të pamjaftueshëm ndaj temperaturave ekstreme.


