Një studim i ri sugjeron se stresi psikologjik mund të ketë ndikim më të thellë biologjik sesa mendohej më parë, duke ndikuar jo vetëm në tru dhe zorrë, por edhe në palcën e kockave ku prodhohen qelizat burimore të gjakut dhe sistemit imunitar.
Hulumtimi paraklinik, i publikuar në revistën “Cell Stem”, tregon se ekziston një bosht funksional mes trurit, mikrobiomës së zorrëve dhe palcës kockore, ku stresi mund të përshpejtojë proceset e plakjes qelizore në një model te minjtë.
Studiuesit zbuluan se kur organizmi përjeton stres kronik, truri aktivizon sistemin nervor simpatik dhe dërgon sinjale drejt zorrëve, duke ndryshuar përbërjen e mikrobiomës intestinale. Këto ndryshime çojnë në ulje të metabolitëve të dobishëm, përfshirë spermidinën, një molekulë e lidhur me mirëmbajtjen e shëndetshme të proceseve të plakjes, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Si rezultat, funksioni i qelizave burimore hematopoietike në palcën e kockave dëmtohet, duke reduktuar prodhimin e limfociteve dhe duke dobësuar sistemin imunitar.
Sipas autorëve të studimit, stresi nuk vepron vetëm si faktor psikologjik, por shndërrohet në sinjal biologjik që përhapet në organe të largëta përmes rrjeteve nervore dhe mikrobiomës. Ata gjithashtu identifikuan dy zona specifike të trurit që ndikohen nga stresi dhe që duket se kontrollojnë drejtpërdrejt funksionin e qelizave burimore në palcën e kockave, duke treguar një mekanizëm të ri të rregullimit të imunitetit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate janë bazuar në modele shtazore dhe ende nuk dihet nëse i njëjti mekanizëm funksionon në njerëz.
Hapat e ardhshëm të kërkimit synojnë të verifikojnë nëse ky bosht tru–zorrë–palcë kockore ndikon edhe në plakjen njerëzore, si dhe në sëmundje të lidhura me imunitetin dhe plakjen si kanceri dhe sëmundjet kronike. /Gazeta Shneta/


