Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka realizuar për herë të parë në mënyrë të pavarur procedurën e ekokardiografisë transezofageale (TEE), duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve diagnostike në fushën e kardiologjisë.
Sipas njoftimit të spitalit, procedura u krye me sukses në Laboratorin e Kateterizimit nga ekipi i mjekëve të Kardiologjisë, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e ekipit të Anesteziologjisë.
Nga spitali bëhet e ditur se ndërhyrja u përmbyll me sukses të plotë dhe pa asnjë komplikim.
Kjo arritje, sipas institucionit, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në zgjerimin e shërbimeve diagnostike që ofrohen për pacientët me sëmundje të zemrës, duke mundësuar kryerjen e kësaj procedure në mënyrë të pavarur brenda spitalit.
“Ky sukses dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të menaxhmentit dhe stafit profesional për ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe ofrimin e shërbimeve bashkëkohore e cilësore për pacientët”, thuhet në njoftim.


