Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 6 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 52 raste me fruth në vend. Vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar pesë raste të reja.
Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Komunën e Prishtinës, me 17 raste, e ndjekur nga Ferizaj me 12 raste.
Ndërkaq, në Kaçanik janë konfirmuar gjashtë raste, në Fushë Kosovë pesë, ndërsa në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq janë raportuar nga dy raste secila.
Nga një rast me fruth është konfirmuar edhe në komunat Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person i cili shfaq simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë të lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor për vlerësim dhe trajtim.
Duke pasur parasysh përhapjen e lehtë të virusit dhe rrezikun e komplikimeve që mund të shkaktojë sëmundja, Instituti u ka bërë apel prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.
Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.


