Një analizë e re gjaku mund të shkurtojë ndjeshëm kohën e diagnostikimit të endometriozës, duke identifikuar një profil unik hormonal te gratë që vuajnë nga kjo sëmundje.
Kështu thuhet në një studim të ri, sipas të cilit testi arrin një saktësi prej mbi 95 për qind.
Endometrioza është një sëmundje kronike në të cilën ind i ngjashëm me mukozën e mitrës zhvillohet jashtë saj, duke shkaktuar dhimbje, infertilitet dhe probleme të tjera shëndetësore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kjo gjendje prek rreth 190 milionë gra dhe vajza në mbarë botën.
Aktualisht, diagnostikimi i endometriozës bëhet përmes ekzaminimit gjinekologjik, ultrazërit, rezonancës magnetike (MRI) ose laparoskopisë, një procedurë kirurgjikale minimalisht invazive. Megjithatë, sipas OBSH-së, diagnoza mund të vonohet deri në 12 vjet, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Studimi i ri sugjeron se një analizë gjaku mund të ofrojë një alternativë më të shpejtë dhe më pak invazive.
U identifikua një “gjurmë hormonale” karakteristike
Në kuadër të studimit, studiuesit analizuan nivelet hormonale në gjakun e 159 grave me endometriozë të konfirmuar dhe 57 grave pa këtë sëmundje.
Fokusi i hulumtimit ishte te androgenët, një grup hormonesh seksuale që përfshijnë edhe testosteronin, si dhe te të ashtuquajturit 11-oksigjen-androgjenë, hormone të prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore.
Rezultatet treguan se gratë me endometriozë kishin një profil hormonal të veçantë, të karakterizuar nga nivele të larta të hormonit 11-ketotestosteron, çka u mundësoi studiuesve të dallonin pacientet me endometriozë nga ato pa këtë sëmundje me mbi 95 për qind saktësi.
Shpresë për diagnozë më të hershme
Sipas autorëve, zbulimi mund të ndryshojë mënyrën se si diagnostikohet endometrioza dhe të ndihmojë që trajtimi të fillojë shumë më herët.
“Këto gjetje përfaqësojnë një përparim të rëndësishëm në kuptimin tonë për endometriozën”, tha bashkautori i studimit, Douglas Gibson nga Universiteti i Edinburgut.
Ai shtoi se ekipi është optimist se ky zbulim do të çojë në diagnostikim më të hershëm dhe në zhvillimin e trajtimeve të reja për gratë që jetojnë me këtë sëmundje.
Edhe Emma Cox, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Endometriosis UK, vlerësoi rëndësinë e këtij zhvillimi, duke theksuar se gratë me endometriozë përballen prej vitesh me vonesa të papranueshme në marrjen e diagnozës, gjë që vonon trajtimin dhe mund të lejojë përparimin e sëmundjes.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se analiza e re e gjakut të përdoret në praktikën e përditshme klinike.


