Përdorimi i cigareve elektronike mund të dëmtojë mushkëritë dhe aftësinë fizike të të rinjve në një masë të ngjashme me pirjen e duhanit, sugjeron një studim i ri që ka rihapur debatin mbi sigurinë afatgjate të vaping-ut.
Studiues nga Universiteti Metropolitan i Mançesterit krahasuan 60 persona rreth të njëzetave, të ndarë në tre grupe: jo duhanpirës, përdorues të cigareve elektronike prej të paktën dy vitesh dhe duhanpirës prej të paktën dy vitesh. Pjesëmarrësit iu nënshtruan një testi fizik në biçikletë statike për të matur kapacitetin e mushkërive dhe performancën gjatë ushtrimeve intensive.
Rezultatet treguan se përdoruesit e cigareve elektronike dhe duhanpirësit kishin pothuajse të njëjtin kapacitet maksimal të ushtrimit fizik, përkatësisht 186 dhe 182 vat, dukshëm më të ulët se 226 vat të regjistruara te personat që nuk pinin duhan dhe nuk përdornin cigare elektronike. Ata gjithashtu përthithnin më pak oksigjen, lodheshin më shpejt, kishin më shumë vështirësi në frymëmarrje dhe nivele më të larta të laktatit në gjak, një tregues i lodhjes së muskujve, shkruan burimi The Guardian transmeton Gazeta Shneta.
Analizat e gjakut dhe ekografitë zbuluan gjithashtu shenja të funksionimit më të dobët të enëve të gjakut te duhanpirësit dhe përdoruesit e vaping-ut. Sipas autorëve, këto gjetje sfidojnë pretendimin se cigaret elektronike janë një alternativë e sigurt ndaj duhanit.
Për shkak të rritjes së përdorimit të vaping-ut, veçanërisht te adoleshentët, mjekët bëjnë thirrje për masa më të forta parandaluese dhe informim më të mirë mbi rreziqet e mundshme shëndetësore, ndërsa qeveria britanike ka premtuar rregulla më të ashpra për marketingun e cigareve elektronike ndaj fëmijëve dhe të rinjve.
/Gazeta Shneta/


