Pirja e kafesë në sasi të moderuara mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin e mëlçisë dhe të ulë rrezikun për sëmundje serioze të këtij organi, sipas një studimi të ri të publikuar në një revistë shkencore.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Clinical Gastroenterology and Hepatology, përfshiu më shumë se 355 mijë të rritur të shëndetshëm, të cilët u ndoqën për rreth 13 vjet përmes pyetësorëve mbi ushqyerjen dhe stilin e jetesës.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin më shumë kafe kishin rrezik më të ulët për disa probleme të rëndësishme të mëlçisë.
Sipas studiuesve, ata që pinin pesë ose më shumë filxhanë kafe në ditë kishin:
32 për qind rrezik më të ulët për cirrozë të mëlçisë,
47 për qind rrezik më të ulët për kancer të mëlçisë,
42 për qind rrezik më të ulët për vdekje nga sëmundjet e mëlçisë.
Analizat me rezonancë magnetike (MRI) treguan gjithashtu se konsumuesit e kafesë kishin më pak yndyrë në mëlçi, më pak inflamacion dhe më pak dëmtime të indeve të këtij organi. Testet e gjakut treguan gjithashtu tregues më të mirë të funksionimit të mëlçisë.
Megjithatë, studiuesit theksuan se rezultatet nuk nënkuptojnë se njerëzit duhet të konsumojnë pesë ose më shumë filxhanë kafe në ditë.
Sipas tyre, përfitimet shëndetësore duket se fillojnë që me një deri në dy filxhanë në ditë, ndërsa ndikimi më i madh është vërejtur te konsumimi i tre deri në katër filxhanëve në ditë.
“Gjetjet tona mbështesin konsumimin e moderuar të kafesë tek personat që tashmë e konsumojnë dhe e tolerojnë mirë atë”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Ju Dong Yang, drejtor mjekësor i Programit për Kancerin e Mëlçisë në Cedars-Sinai në Los Angeles.
Studiuesit vunë re se edhe kafeja pa kafeinë lidhej me rezultate më të mira për shëndetin e mëlçisë, duke sugjeruar se përfitimet mund të vijnë nga përbërës të tjerë të kafesë dhe jo vetëm nga kafeina.
Ata po vazhdojnë kërkimet për të identifikuar përbërësit specifikë të kafesë që mund të ndikojnë në uljen e inflamacionit dhe dëmtimeve të mëlçisë.
Ekspertët theksojnë se kafeja nuk zëvendëson një stil jetese të shëndetshëm, por mund të jetë pjesë e zakoneve që ndihmojnë në mbrojtjen e mëlçisë, së bashku me aktivitetin fizik, ruajtjen e peshës së shëndetshme dhe kufizimin e konsumit të alkoolit.


