Temperaturat ekstreme të shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të kenë pasoja serioze edhe për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Një studim i ri ka zbuluar se vizitat dhe shtrimet në spital për probleme të shëndetit mendor rriten gjatë periudhave me temperatura të larta.
Hulumtimi, i kryer nga Universiteti i Sidneit në Australi, tregon se nxehtësia ekstreme rrit rrezikun për një sërë çrregullimesh të shëndetit mendor, përfshirë depresionin, ankthin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv, çrregullimet e sjelljes dhe problemet që lidhen me përdorimin e substancave, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
“Temperaturat më të larta se normalja, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike, tashmë po ndikojnë në shëndetin mendor të disa prej të rinjve tanë më të cenueshëm”, tha autori kryesor i studimit, Wen-Qiang He.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një në shtatë të rinj të moshës 10 deri në 19 vjeç në mbarë botën vuan nga një çrregullim mendor, duke përbërë rreth 15 për qind të barrës globale të sëmundjeve në këtë grupmoshë.
Studiuesit paralajmërojnë se kjo barrë pritet të rëndohet edhe më shumë si pasojë e ndryshimeve klimatike, duke theksuar se shëndeti mendor duhet të jetë pjesë e rëndësishme e planeve për përshtatjen ndaj klimës dhe politikave të shëndetit publik.
Sipas studimit, temperaturat e larta e vështirësojnë rregullimin e temperaturës së trupit, ndikojnë në funksionimin e qelizave, nxisin proceset inflamatore, ndryshojnë presionin e gjakut dhe ndikojnë në furnizimin e trurit me oksigjen.
Nxehtësia mund të shkaktojë gjithashtu stres psikologjik, të përkeqësojë cilësinë e gjumit dhe të rrisë nervozizmin, agresivitetin dhe sjelljen e dhunshme. Përveç kësaj, ajo mund të ndikojë indirekt në shëndet duke kufizuar ndërveprimet sociale dhe pushimin cilësor. /Gazeta Shneta/


