Të bindësh një fëmijë të hajë perime nuk është gjithmonë e lehtë. Shumë prindër përballen me refuzimin e brokolit, spinaqit apo perimeve të tjera, pasi fëmijët kanë një prirje të lindur për shijet e ëmbla. Megjithatë, studiuesit thonë se zakonet ushqimore të krijuara në vitet e para të jetës mund të ndikojnë në preferencat ushqimore edhe në moshë madhore.
Ekspertët rekomandojnë ekspozimin e shpeshtë ndaj perimeve që në fëmijërinë e hershme. Fëmijët shpesh kanë nevojë ta shohin dhe ta provojnë të njëjtin ushqim disa herë përpara se ta pranojnë. Madje, studimet sugjerojnë se shijet e nënës gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në preferencat ushqimore të foshnjës, shkruan BBC.
Një tjetër strategji është servirja e perimeve në fillim të vaktit, kur fëmijët janë më të uritur. Kjo rrit gjasat që ato të konsumohen përpara ushqimeve me më shumë kalori. Po ashtu, shtimi i sasisë së perimeve në pjatë ose përzierja e tyre në salca, supa apo gatime të tjera ndihmon në rritjen e konsumit pa ndryshuar shumë shijen.
Edhe mënyra e paraqitjes ka rëndësi. Perimet e prera në forma tërheqëse, si lule, flutura apo figura kafshësh, ose të servirura në pjata shumëngjyrëshe, i bëjnë ato më joshëse për fëmijët. Vendosja e tyre në vende të dukshme dhe lehtësisht të arritshme si ushqime të lehta gjithashtu rrit mundësinë që të konsumohen, transmeton Gazeta Shneta.
Prindërit luajnë një rol vendimtar përmes shembullit personal. Fëmijët kanë më shumë gjasa të hanë fruta dhe perime kur shohin edhe prindërit t’i konsumojnë rregullisht. Vaktet familjare të përbashkëta janë lidhur me zakone më të shëndetshme ushqimore, peshë trupore më të mirë dhe konsum më të ulët të pijeve me sheqer.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që ushqimi të mos kthehet në burim presioni. Detyrimi për të ngrënë ose shpërblimi me ëmbëlsira mund të ketë efekt të kundërt.
Në vend të kësaj, fëmijët duhen inkurajuar të prekin, nuhasin, eksplorojnë dhe madje të gatuajnë me përbërës të rinj. Kjo qasje i ndihmon të ndihen më të sigurt për të provuar ushqime të panjohura dhe të krijojnë një marrëdhënie më pozitive me ushqimin. /Gazeta Shneta/

