Me rritjen e temperaturave, shtohen edhe problemet që lidhen me sistemin tretës. Fryrja e barkut, gazrat, urthi, diarrea dhe helmimet ushqimore janë ndër shqetësimet më të shpeshta gjatë muajve të verës, ndërsa ndryshimi i rutinës, udhëtimet dhe ushqyerja jashtë shtëpisë ndikojnë gjithashtu në shfaqjen e tyre.
Në rubrikën “Mjeku i Javës”, gastroenterologu Dr. Valon Hamza shpjegon pse ndodhin këto çrregullime, cilat janë simptomat që nuk duhen neglizhuar dhe si mund të mbrohemi gjatë sezonit veror.
Gazeta Shneta: Cilat janë problemet më të shpeshta gastrointestinale me të cilat përballen pacientët gjatë muajve të verës?
Dr. Valon Hamza: Me rritjen e temperaturave rritet edhe prevalenca e disa shqetësimeve të tretjes. Stina e verës, ndonëse është periudhë pushimesh dhe argëtimi, shpesh sjell sfida për sistemin tretës. Në praktikën tonë hasim shpesh pacientë me fryrje të barkut, gazra, urth (refluks të përmbajtjes së lukthit), ndërsa kemi vërejtur se afërsisht çdo i katërti pacient gjatë muajve të verës paraqitet me gastroenterit akut.
Pse vera dhe ndryshimi i rutinës gjatë pushimeve ndikojnë në shfaqjen e simptomave si fryrja e barkut, gazrat, urthi apo çrregullimet e jashtëqitjes?
Dr. Valon Hamza: Temperaturat e larta ndikojnë në organizëm duke bërë që qarkullimi i gjakut të përqendrohet më shumë në lëkurë për të ftohur trupin. Si pasojë, tretja mund të ngadalësohet, duke shkaktuar fryrje të lukthit dhe refluks acid.
Shumë persona ankohen për fryrje barku gjatë pushimeve verore. Cilat janë shkaqet më të zakonshme?
Dr. Valon Hamza: Stresi i udhëtimit, ndryshimi i zonave kohore dhe ndryshimi i orareve të ngrënies krijojnë një lloj konfuzioni në ritmin natyror të zorrëve. Kjo mjafton për të shkaktuar fryrje barku, gazra dhe humbje të oreksit.
Sa ndikojnë ushqimet që konsumohen më shpesh gjatë verës, si ushqimet e shpejta, pijet e gazuara, akulloret apo ushqimet jashtë shtëpisë, në shëndetin e tretjes?
Dr. Valon Hamza: Një nga shkaqet më të zakonshme është ngrënia e tepërt. Gjatë pushimeve konsumohen më shpesh ushqime të yndyrshme, pikante dhe vakte të rënda që mbingarkojnë sistemin tretës, duke shkaktuar fryrje, dispepsi dhe rritje të aciditetit. Gjithashtu, pijet me sheqer, kafeinë dhe alkooli kontribuojnë në dehidratim.
A paraqesin temperaturat e larta dhe ruajtja jo e duhur e ushqimeve rrezik më të madh për infeksione të traktit gastrointestinal?
Dr. Valon Hamza: Po. Temperaturat e larta krijojnë kushte ideale për shumimin e baktereve në ushqim. Ushqimi i ruajtur ose i përgatitur në mënyrë të papërshtatshme, veçanërisht nga shitësit ambulantë ose gjatë udhëtimeve, është ndër shkaqet kryesore të helmimeve ushqimore gjatë verës. Bakteret mund të dyfishohen çdo 20 minuta në temperatura ndërmjet 4 dhe 60 gradë Celsius.
Cilat janë shenjat që tregojnë se një shqetësim i tretjes nuk duhet të neglizhohet dhe kërkon konsultë me gastroenterologun?
Dr. Valon Hamza: Simptomat më të shpeshta janë diarrea, të vjellat, mundimi për të vjellë, dhimbjet apo ngërçet e barkut, fryrja, gazrat, urthi, humbja e oreksit, lodhja dhe plogështia. Në shumicën e rasteve këto çrregullime janë vetëkufizuese, por nëse zgjasin disa ditë duhet konsultuar gastroenterologu. Ndërsa në rast të gjakut në jashtëqitje, jashtëqitjes me ngjyrë të zezë, dhimbjeve të forta të barkut, të vjellave të vazhdueshme ose temperaturës së lartë kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore.
Pacientët me gastrit, refluks apo sindromë të zorrës së irrituar, a kanë nevojë për kujdes të veçantë gjatë verës?
Dr. Valon Hamza: Po. Këta pacientë janë më të ndjeshëm ndaj ushqimeve të yndyrshme, të skuqura dhe ushqimeve të blera nga shitës ambulantë, ku nuk garantohet gjithmonë përgatitja dhe ruajtja e duhur. Gjithashtu, disa prej tyre marrin terapi që mund të ndikojë në mbrojtjen ndaj infeksioneve, prandaj duhet të tregojnë kujdes të shtuar në ushqyerje.
Sa ndikon hidratimi në funksionimin e sistemit tretës?
Dr. Valon Hamza: Gjatë verës humbjet e lëngjeve përmes djersitjes janë më të mëdha. Konsumimi i pamjaftueshëm i ujit ngadalëson tretjen dhe mund të shkaktojë kapsllëk. Studimet tregojnë se edhe dehidratimi i lehtë mund të ndikojë negativisht në lëvizshmërinë e zorrëve dhe funksionimin normal të traktit tretës.
A mund të ndikojnë udhëtimet, ndryshimi i ambientit dhe stresi gjatë pushimeve në shfaqjen e problemeve me zorrët?
Dr. Valon Hamza: Po. Përveç ndryshimit të rutinës dhe zonave kohore, ekspozimi ndaj kuzhinave të reja dhe burimeve të ndryshme të ujit mund të prishë ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve. Si pasojë mund të shfaqen fryrja e barkut dhe diarrea e udhëtarit.
Kur një person përjeton diarre, të vjella apo dhimbje barku gjatë pushimeve, cilat janë hapat e parë që duhet të ndërmarrë?
Dr. Valon Hamza: Në shumicën e rasteve këto infeksione janë vetëkufizuese. Gjëja më e rëndësishme është hidratimi. Duhet të konsumohen ujë, çaj, supë të kulluar dhe kos. Nëse simptomat zgjasin ose gjendja përkeqësohet, duhet të kërkohet ndihma e mjekut ose gastroenterologut.
Cilat janë këshillat tuaja për qytetarët që të kalojnë një verë me një sistem tretës të shëndetshëm?
Dr. Valon Hamza: Kujdesi fillon me zgjedhje të shëndetshme. Duhet të pini mjaftueshëm ujë, të konsumoni ushqime të freskëta dhe të lehta, të shmangni ushqimet e yndyrshme, pikante dhe të pagatuara mirë, si dhe të respektoni rregullat e higjienës gjatë përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit. Gjatë udhëtimeve preferoni ujë të ambalazhuar dhe shmangni ushqimet nga burime të pasigurta.
Cili është mesazhi juaj për lexuesit?
Është shumë e rëndësishme që qytetarët të njohin simptomat dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në kohë kur ato bëhen të rënda ose zgjasin. Me kujdes në ushqyerje, hidratim të mirë dhe respektim të rregullave të higjienës, secili mund të kalojë një verë më të shëndetshme dhe të mbrojë shëndetin e sistemit tretës.


