Një ilaç i zhvilluar fillimisht për dëmtimet e palcës kurrizore mund të ketë potencial edhe në trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit, sipas një studimi të ri. Hulumtuesit zbuluan se ilaçi KCL-286 mund të riparojë dëmtimet në ADN dhe të zvogëlojë inflamacionin në tru, dy procese që mund të shfaqen herët gjatë zhvillimit të Alzheimerit.
Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i zakonshëm i demencës dhe përbën rreth 60–80% të të gjitha rasteve në botë. Ajo është një sëmundje progresive që prek kujtesën, të menduarit dhe sjelljen, ndërsa aktualisht ekzistojnë vetëm disa terapi efektive.
Deri tani, shumica e kërkimeve për trajtimin e Alzheimerit janë përqendruar te dy proteina që grumbullohen në tru: beta-amiloidi dhe tau. Beta-amiloidi krijohet në hapësirat mes qelizave nervore, ndërsa proteina tau grumbullohet brenda tyre. Të dyja mendohet se pengojnë funksionimin dhe komunikimin normal të neuroneve, duke çuar në rënien e aftësive njohëse.
Megjithatë, studimi i ri sugjeron se një qasje tjetër mund të jetë fokusimi te dëmtimi i ADN-së dhe inflamacioni në fazat e hershme të sëmundjes.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “FEBS Open Bio”, analizoi efektin e ilaçit ‘KCL-286’, i cili ka kaluar më parë testet e sigurisë në fazën e parë te njerëzit për trajtimin e dëmtimeve të palcës kurrizore.
Në një model me minj të modifikuar gjenetikisht për të zhvilluar pllaka beta-amiloide, studiuesit zbuluan se KCL-286 ndihmoi në riparimin e dëmtimeve të dyfishta të fijeve të ADN-së në qelizat nervore dhe reduktoi aktivitetin inflamator në tru.
Ekspertët e cilësuan këtë zbulim si një mënyrë të re për të menduar rreth Alzheimerit, pasi trajtimi nuk fokusohet vetëm te proteinat beta-amiloid dhe tau, por te dëmtimet qelizore që mund të ndodhin shumë më herët.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se rezultatet janë ende në fazën paraklinike dhe nuk dihet ende nëse efektet e vërejtura te kafshët do të përkthehen në përfitime te pacientët.
Ekspertët theksojnë se Alzheimeri është një sëmundje komplekse që përfshin shumë mekanizma biologjikë dhe trajtimi i së ardhmes mund të kërkojë kombinimin e disa terapive, të përshtatura sipas karakteristikave biologjike dhe fazës së sëmundjes te secili pacient. /Gazeta Shneta/


