Migrena, problemet me tretjen, ankthi dhe depresioni mund të jenë shenja të endometriozës dhe jo sëmundje të ndara.
Ky është përfundimi i një studimi të ri ndërkombëtar, i cili paralajmëron se mosnjohja e këtyre simptomave shpesh vonon diagnozën për vite me radhë.
Studimi, i udhëhequr nga Instituti Kërkimor Sant Pau në Spanjë dhe i publikuar në revistën Human Reproduction, analizoi të dhënat e më shumë se 22 mijë grave me endometriozë.
Sipas studiuesve, sëmundja prek rreth 10 për qind të grave në moshë riprodhuese, ndërsa diagnoza shpesh vendoset 4 deri në 11 vjet pas shfaqjes së simptomave të para.
Analiza identifikoi katër profile të ndryshme simptomash. Përveç dhimbjes së legenit, shumë gra përjetonin probleme gastrointestinale, migrenë, lodhje kronike, ankth dhe depresion.
“Endometrioza nuk paraqitet gjithmonë në mënyrën që presim. Nëse vazhdojmë ta lidhim vetëm me dhimbjet menstruale ose të legenit, rrezikojmë të mos identifikojmë shumë paciente”, tha autorja e studimit, Dr. Dora Koller.
Sipas saj, shumë gra kalojnë vite duke kërkuar shpjegim për simptoma që trajtohen veçmas nga mjekë të specialiteteve të ndryshme, pa u kuptuar se ato lidhen me të njëjtën sëmundje.
Studimi tregoi gjithashtu se gratë që, përveç endometriozës, kanë edhe adenomiozë, përjetojnë forma më të rënda të sëmundjes dhe ndikim më të madh në cilësinë e jetës.
Studiuesit vlerësojnë se njohja e këtij spektri më të gjerë të simptomave mund të ndihmojë në diagnostikimin më të hershëm dhe trajtimin më të shpejtë të endometriozës.


