Në Komunën e Obiliqit po vazhdon vaksinimi plotësues i fëmijëve që nuk i kanë marrë vaksinat sipas kalendarit të rregullt. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me imunizim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
Sipas një njoftimi zyrtar të lëshuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), zyra në Kosovë, brenda vetëm një ore janë vaksinuar rreth tetë fëmijë, ndërsa pesë prej tyre nuk kishin marrë asnjë vaksinë më parë, transmeton Gazeta Shneta.
Mes fëmijëve të vaksinuar janë edhe Hyseni (10 vjeç), Almira (8 vjeç) dhe Amira (5 vjeç), të cilët tashmë kanë marrë vaksinat e nevojshme.

Punëtorët shëndetësorë po zhvillojnë aktivitete të vazhdueshme për vaksinimin e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë, duke identifikuar rastet e fëmijëve të pavaksinuar në bashkëpunim me vullnetarët e organizatës “Balkan Sunflowers Kosova”. Procesi përfshin edhe vizita në shtëpi, ku prindërit informohen për rëndësinë e vaksinimit, si dhe marrin këshilla për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.
UNICEF thekson se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më efektive për parandalimin e sëmundjeve dhe u bën thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre i marrin të gjitha vaksinat e rekomanduara, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mundësinë të rritet i shëndetshëm dhe i mbrojtur.
/Gazeta Shneta/



