Në betejën për të zbuluar shkaqet e sëmundjes mendore, shkencëtarët po shohin gjithnjë e më shumë nga faktorët gjenetikë. Ekspertët analizojnë gjasat e kalimit të sëmundjeve nga prindërit te fëmija.
James Longman, babai i të cilit vrau veten pasi vuante nga skizofrenia, analizon ngjashmëritë e tij me të atin dhe mundësinë e kalimit të sëmundjes tek ai vetë.
Rrëfimi
Shpesh më thonë se i ngjaj shumë tim ati, që kam gjestet e tij dhe disa nga veset. Kjo është diçka që e marr me krenari. Por ka edhe diçka tjetër që më shqetëson. Kjo është skizofrenia e tij. Kur isha nëntë vjeç, ai vrau veten.
Pas një episodi shumë të keq gjatë dy javëve, ai i vuri zjarrin apartamentit dhe u hodh nga dritarja. Disa nga detajet e jetës dhe vdekjes së babait m’u bënë të qarta vetëm pasi e analizova mirë historinë e tij, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ishte përpjekur disa herë të vriste veten, kishte ecur nëpër rrugët e Londrës me rrobdeshambër dhe dëgjonte zëra. Të gjitha këto dallojnë shumë nga burri që unë mbaja mend si babain tim: të lumtur, kreativ dhe argëtues.
Njëzet vjet më parë, babai i tij – gjyshi im – qëlloi veten pasi zbuloi se kishte kancer. Kam edhe pjesëtarë të tjerë të familjes me probleme të shëndetit mendor. Tani në të 20-at, ndonjëherë vuaj nga depresioni. Ndaj mendoj, është kjo diçka që rrjedh nga familja ime?
Për shumë njerëz, shëndeti mendor është diçka shumë e vështirë për ta diskutuar. Por ata që përballen me këto pasiguri shpesh mund t’u drejtohen familjarëve me probleme të ngjashme. A kalova në depresion nga trauma se humba babain në rrethana tragjike? Apo është e shkruar në ADN?
Në Kolegjin e Mbretit në Londër (KCL), kërkuesit po kërkojnë të dinë më shumë rreth gjenetikës së shëndetit mendor.
Studimet te binjakët dhe historitë familjare kanë provuar se sëmundjet e shëndetit mendor kanë një kontribut gjenetike. Por vetëm në vitet e fundit shkencëtarët kanë mundur të identifikojnë ndryshimet gjenetike që kanë shkaktuar këtë shtim të rrezikut.
Profesoreshë Cathryn Levis, një kërkuese nga Qendra Biomjekësore Maudsley shpjegon: “Është vërtetë e vështirë të identifikosh gjenet që lidhen me çrregullimin e shëndetit mendor. Në shkollë na mësohen vetëm gjenet e njohura, por ka edhe shumë raste të tjera kur familja ndikon”, shpjegon ajo.
Puna e KCL është ende në fazat e para, por është zbuluar se 108 gjene dallojnë te njerëzit me skizofreni. Nëntë prej tyre janë lidhur me depresionin, 20 me çrregullimin bipolar. Shkencëtarët presin të zbulojnë edhe shumë të tjera që ndahen në kushte të ndryshme.
Duke kuptuar më mirë lidhjen gjenetike, personat që mund ta kenë të trashëguar çlirohen nga ndjesia e fajit dhe pashmangshmërisë që të jep depresioni.
“Provat nga kërkimet e viteve të fundit gjithashtu sugjerojnë se shumë sëmundje mendore ndajnë të njëjtë faktorë gjenetikë të rrezikut”, thotë Levis.
Ndonëse në rastin e skizofrenisë së babait të James Longman skizofrenia dhe depresioni janë dy gjëra të ndryshme, mbase një kodim i caktuar gjenetik mund të ketë ndikuar që ai të përjetojë depresionin.
Motrat dhe vëllezërit kanë rezultate shumë të ndryshme. Nëse të dy kanë një prind që vuan nga çrregullimi bipolar, njëri prej tyre mund ta trashëgojë, ndërsa tjetri jo.
Jonny, një person që e ilustron më së miri shembullin e mësipërm tregon se si u ndje kur u diagnostikua me sëmundjen e të ëmës.
“Pata shumë emocione dhe përgjigje intelektuale, qava nga lehtësimi! “Megjithatë ndiej se kam gjendjen time unike, pasi çdo problem i shëndetit mendor është unik nga një person te tjetri” thotë ai.
Nëse keni një prind me depresion, keni dyfish më shumë gjasa të përjetoni depresion. Në rastin e bipolaritetit, gjasat katërfishohen. Dhe në skizofreni, mundësia që të vuani edhe ju është tetëfish.
Ka edhe rreziqe nga të afërmit, por shifra është shumë më e ulët. Dhe si gjithnjë, ka një sasi të caktuar mundësish të keni një formim të caktuar gjenetik. Po ashtu, përvoja e jetës ndikon shumë në faktin nëse do të zhvilloni apo jo edhe ju sëmundjen mendore.
“Vdekja e babait pati një ndikim të madh në jetën time dhe në marrëdhënien që ndërtova me mamanë. Ajo vuan gjithashtu nga depresioni, me gjasa prej vdekjes së babait. Ne diskutuam bashkë për gjendjen tonë dhe kështu kuptuam më mirë se çfarë po na ndodhte” shpjegon James Longman.
“Babai yt do të ishte shumë krenar për ty tani”, thotë nëna e Longman. “Do të ishte shumë krenar ngaqë ti po bën të gjitha gjërat që ai nuk do të ishte në gjendje t’i arrinte. Në zemrën e tij, ai do të ndiente se sa njeri i mrekullueshëm je”, e përgëzon ajo djalin.
Miliona njerëz vuajnë nga sëmundjet mendore në botë, ku diskutimi për to mbetet ende një tabu dhe ku njerëzit u drejtohen ilaçeve ose marrjes së jetës si një nga mënyrat për të shpëtuar nga sëmundjet. Një fushatë globale ka nisur për të ndërgjegjësuar njerëzit se problemet mendore mund të trajtohen dhe janë të përhapura./Gazeta Shneta/