Për pyetjet që zakonisht i mundojnë gratë shtatzëna, por në lidhje me të vjellat dhe sjelljet e grave shtatzëna gjatë nëntë muajve, këto janë përgjigjet e duhura.
A kanë të gjitha gratë shtatzëna të vjella në fillim të shtatzënisë?
Jo të gjitha, por shumica, për fat të keq po. Dhe, meqë mendohet se ky problem ndodh vetëm në mëngjes, gratë shtatzëna e dinë se kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, sepse mund të ndodhë që të kanë mund për të vjella gjatë gjithë ditës, madje edhe gjatë natës. Te disa, kjo gjendje kufizohet në ndjenjë momentale që nuk pengon shumë, kurse te disa komplikohet me të vjella, të cilat mund të jenë të përkohshme, apo të përkeqësohet aq shumë sa që kërkon shtrierje në spital dhe kompenzimin e lëngjeve.
Çka i shkakton të përzierat dhe të vjellat në fillim të shtatzënisë?
Nuk dihet saktë shkaktari i nauzesë dhe të vjellave, por mendohet se këto probleme janë të lidhura me ndryshimet hormonale dhe mund të fillojnë që nga java e pestë apo gjashtë dhe zakonisht zgjasin deri në javën e 14, me atë që, rrallë, mund të vazhdojnë deri në fund të shtatzënisë.
A është e rrezikshme nëse vjell?
Jo, por nëse vjellni më shumë se katër deri në pesë herë në ditë, nuk merrni ushqim apo ujë, humbni në peshë dhe urinoni më pak, atëherë mund të bëhet e rrezikshme, sepse mund të dehidroni. Në këtë rast, duhet të kontaktoni mjekun tuaj, i cili do të vlerësojë nëse është e nevojshme për t’u pranuar në spital, në mënyrë që të kompenzohen lëngjet, përmes infuzionit, me vitamina.
Çka duhet bërë kur kam nauze?
Nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar nauzenë dhe të vjellat, por mund ta zvogëloni frekuencën dhe intensitetin e simptomave, duke ngrënë vakte të vogla, më shpesh, ushqim me jo shumë erëza që nuk ka një aromë intensive. Duhet të pini shumë lëngje dhe provoni të hani mëngjes para se të ngriteni nga shtrati. Kur jeni e shtrirë, ngrihuni ngadalë, mos bëni lëvizje të shpejta. Shmangni pijet me kafeinë dhe alkool, mos pini duhan apo të qëndroni në dhoma ku pihet duhani. Nëse nuk mund të hani ushqimet e duhura, përballoni krizën e të vjellave me biskota të kripura, shkopinj të kripur apo bukë të thekur pa mbushje. Kaloni sa më shumë kohë në ajër të pastër, shëtitni mesatarisht.
Ndonjëherë madje edhe vitaminat e prodhuar posaçërisht për shtatzëni mund të shkaktojnë nauze, kështu që përpiquni t’i merrni me ndonjë ushqim të ëmbël. Sidomos hekuri në stomak bosh mund të jetë një problem, ashtuqë mos e merrni në këtë mënyrë.
Kam provuar gjithçka për të zvogëluar të vjellat dhe asgjë nuk ndihmon. Çfarë duhet të bëj?
Pa dyshim për këtë tregoni mjekut tuaj – sidomos nëse vjellni shumë dhe vazhdimisht. Kjo mund të shkaktojë dehidratim dhe çrregullime serioze në trupin tuaj dhe duhet të reagoni në kohë.
Përveç ndryshimeve në të ushqyerit, kundër nauzesë së mëngjesit mund të luftoni edhe me mjete tjera. Provoni me vitaminën B6, tri herë në ditë nga 25 mg, deri në pesë ditë. Nëse kjo ju ndihmon, për vazhdimin e terapisë duhet të konsultoheni me mjekun.
Meqë tek ne vështirë gjindet, mund të provoni me xhenxhefil – duke e përdorur si rrënjë të thata apo të freskëta nga i cili do të përgatitni çaj, apo të pini “Schweppes”, “Ginger Ale“! Ka edhe tableta me xhenxhefil, por kurrsesi mos merrni më shumë se 1g në katër doza ditore, deri në pesë ditë, kurse pastaj konsultohuni me mjekun.
Shumë shpesh kam urth. Çfarë të bëj?
Urthi në shtatzëni nuk është i rrallë, por më i shpeshtë në shtatzëninë e mëvonshme. Për të zvogëluar ndjenjën e pakëndshme të urthit, hani racione më të vogla, më shpesh – çdo dy deri në tre orë, ngadalë. Shmangni ushqimet me erëza – harroni piperin, hudhrën, qepën, portokajt, limonin, grejpfrutin … Mundohuni ta ndryshoni mënyrën e përgatitjes së ushqimit – gatuani me avull në vend të vajit apo yndyrës, por shmangni edhe ushqimet e yndyrshme – qëndron më gjatë në stomak dhe tretet më vështirë. Pas ngrënies uluni apo shetitni, mos u shtrieni të paktën për dy orë.
Kam probleme me gjumin – vështirë më zë gjumi dhe shpesh zgjohem gjatë natës. A është kjo normale dhe çfarë të bëj?
Për fat të keq, ky është një problem shumë i shpeshtë në shtatzëni – shumë gra ankohen për probleme me gjumin, sidomos në gjysmën e dytë të shtatzënisë.
Mundohuni të jeni fizikisht aktivë gjatë ditës – lodhja e vërtetë fizike është parakusht që të flini gjatë natës. Nëse nuk mund të flini natën, mos flini gjatë ditës – pushimi gjatë ditës do të zvogëlojë mundësinë për të fjetur gjatë natës, veçanërisht nëse nuk merreni me aktivitete të veçanta fizike. Provoni me çaj të dobët, të ngrohtë bimor para se të flini, duke bërë dush me ujë të ngrohtë, qumësht të ngrohtë, ventilim – të gjitha gjërat që zakonisht do t’i bënit kur nuk mund të flini edhe kur nuk jeni shtatzënë … Patjetër urinoni para se të shkoni në shtrat si dhe shmangni të pini shumë lëngje shkurt para gjumit – përndryshe do të keni nevojë shumë të fortë për të urinuar, kështu që duhet të zgjoheni dhe ngriteni për të urinuar, nuk duhet ta potenconi edhe më shumë.