Pasi jeni lodhur duke mbajtuë në krahë apo në gji për shumë minuta fëmijën tuaj në mënyrë që të bjerë në gjumë, ndodh që sapo e vendos në krevat ai fillon të qajë dhe të zgjohet sërish. Pra ja ku jemi sërish në fillim! Kjo është frustruese për shumë prindër sidomos nëse jeni duke pritur me atë moment për të ngrënë një vakt, për të bërë një dush apo për t’u qetësuar disi.
Si duhet të veprojmë që fëmija të mos zgjohet menjëherë?
Si fillim duhet t’ju themi se duhet të tregoni shumë durim. Bebet janë të zgjuara, dhe kanë nevojë për vëmendje. Nëse ata do të qajnë dhe ju do t’i jepni menjëherë dhe gjithmonë atë që kërkojnë do të vazhdojnë të qajnë gjithmonë, por ju nuk duhet ta nënkuptoni të qarën e fëmijës tuaj si një tekë. Ajo është një mënyrë me të cilën bebi juaj mundohet të komunikojë.
Ju si prind duhet të kuptoni nevojat e fëmijës dhe mënyrën si funksionon gjumi tek ata. Konkretisht i duhen rreth 15-20 minuta të bjerë në gjumë të thellë, që do të thotë deri në atë moment ai mund të zgjohet me lehtësi. Nëse bebi juaj është i porsalindur, këshillohet të vendoset në krevatin e tij pasi ka rënë në gjumë. Nëse ai është pak më i rritur duhet ta vendosni në shtrat ndërsa është gati për gjumë, por ende nuk është në gjumë të plotë. Kështu fëmija juaj nuk do të zgjohet vazhdimisht për të kërkuar të flejë në krahët tuaj apo në gji.
- E mbani fëmijën në gji dhe në krahë për një kohë të caktuar në mënyrë që të marrë sa më shumë dashuri dh ngrohtësi. Nëse do ta vendosni beben në shtrat ndërsa ai është gati për gjumë por ende zgjuar, do të bëni të mundur që ai të mos ndihet keq kur të kalojë nga krahët tuaj të ngrohtë drejt shtratit të “ftohtë” (në kuptimin figurativ).
- E mësoni të vetëqetësohet. Por kujdes! Kjo nuk nënkupton ta lini fëmijën tuaj të qajë pa reaguar. Ju duhet ta bëni fëmijën tuaj të ndihet mirë me mënyra të tjera, për shembull duke i përkedhelur shpinën dhe kokën, duke e puthur.Për të gjetur mënyrën si t’i përgjigjeni fëmijës ndërsa e mësoni të vetëqetësohet duhet të provoni disa dhe të mos e humbni durimin. Instikti i nënës është më i fortë nga sa ju e mendoni dhe nëse nuk do të lini lodhjen psikologjike t’ju mposhtë, të jeni të sigurta se do t’ja dilni më së miri të keni një bebe që fle i qetë përgjatë gjithë natës./pernenat.al/