Studimet tregojnë se mirësia mund të ulë stresin, të lehtësojë dhimbjet fizike, të luftojë vetminë dhe të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit afatgjatë.
Zakonisht e mendojmë mirësinë si diçka që ua bëjmë të tjerëve – t’u hapësh derën, t’u bësh një kompliment apo t’i ndihmosh të kalojnë rrugën. Por studimet sugjerojnë se edhe ne vetë përfitojmë nga këto gjeste të vogla.
Sipas profesoreshës Zita Oravecz nga Universiteti Penn State, mirësia krijon një ndjenjë të ngrohtë dhe pozitive që na lidh me njerëzit.
Psikologët e quajnë këtë “rezonancë pozitive” – një moment i shkurtër mirëdashjeje që ndikon si në sjellje, ashtu edhe biologjikisht.
Gjatë këtyre momenteve, lirohen neurokimikate si oksitocina, dopamina dhe serotonina, të cilat ulin hormonet e stresit si kortizoli, duke ndikuar me kalimin e kohës në uljen e tensionit të gjakut dhe inflamacionit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimet tregojnë se veprat mirëdashëse, qoftë ndihma ndaj fqinjëve apo vullnetarizmi, ulin ankthin, përmirësojnë humorin dhe zvogëlojnë dhimbjet fizike.
Një studim i vitit 2022 tregoi se njerëzit që kryenin rregullisht gjeste mirësie përjetonin rënie më të madhe të simptomave të depresionit dhe ankthit.
Sipas studiuesit David Cregg, lidhjet sociale janë thelbësore për mirëqenien, dhe mirësia është një nga mënyrat më efektive për t’i forcuar ato.
Ka edhe përfitime fizike. Një studim në Mbretërinë e Bashkuar me 48,000 pjesëmarrës zbuloi se ata që dhuronin ose kryenin vullnetarizëm kishin më pak dhimbje që pengonin aktivitetet e përditshme.
Edhe gjestet e vogla mund të kenë ndikim të madh – ndonjëherë duke ndryshuar rrjedhën e jetës së dikujt. /Gazeta Shneta/


