Një studim i ri nga Universiteti i Bergenit ka zbuluar se si mitokondritë veprojnë si “rezervuarë” për të mbajtur NAD-in, një molekulë jetike për krijimin e energjisë në trup. Ky zbulim mund të çojë në zhvillimin e trajtimeve të reja për të luftuar plakjen dhe sëmundjet e lidhura me moshën.
Çfarë është NAD?
Nikotinamid adenine dinukleotidi (NAD) është një molekulë e pranishme në çdo qelizë të gjallë, e prodhuar nga vitamina B3 (niacina). Ajo luan një rol kyç në krijimin e energjisë dhe riparimin e ADN-së. Profesori Mathias Ziegler nga Universiteti i Bergenit shpjegon se NAD funksionon si një “bateri e rikarikueshme” që ruan dhe shpërndan energjinë për proceset qelizore, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Lidhja mes NAD dhe plakjes
Studimi ka treguar se nivelet e NAD zvogëlohen me kalimin e moshës, duke çuar në dëmtim të ADN-së dhe ulje të metabolizmit qelizor, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e plakjes. Shkencëtarët besojnë se rritja e nivelit të NAD mund të ndihmojë në ngadalësimin e këtyre ndryshimeve.
Mitokondritë si “rezervuarë” të NAD-it
Hulumtuesit kanë zbuluar se mitokondritë mbajnë dhe furnizojnë qelizat me NAD sipas nevojës. Megjithatë, nëse rezervat e mitokondrive shterojnë, qelizat mund të mos funksionojnë siç duhet, gjë që mund të ketë pasoja fatale.
Ky studim, i publikuar në revistën Nature Metabolism, mund të hapë rrugën për trajtime të reja kundër plakjes dhe sëmundjeve neurodegjenerative duke synuar ruajtjen e niveleve të NAD./ Gazeta Shneta/


