Shkencëtarët kanë zhvilluar simulime të reja që tregojnë se si gripi i shpendëve mund të kalojë te njerëzit dhe të përhapet në popullatë, nëse nuk merren masa të shpejta vaksinimi dhe izolimi. Studimi thekson rrezikun e një pandemie të ardhshme, të njohur nga ekspertët si “Sëmundja X”, një infeksion që nis te kafshët dhe më pas transmetohet te njerëzit.
Një nga modelet kandidate kryesorë për këtë skenar është gripi i shpendëve me patogjenitet të lartë (HPAI), për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ka dhënë paralajmërime të vazhdueshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i kryer nga Universiteti Ashoka dhe i publikuar në revistën “BMC Public Health”, analizon se sa shpejt mund të përshkallëzohet një shpërthim sapo fillon transmetimi nga njeriu te njeriu.
Deri më tani, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nuk ka prova të përhapjes së vazhdueshme mes njerëzve.
Megjithatë, përhapja e gripit të shpendëve ka qenë e pazakontë në shkallë dhe shtrirje gjeografike, veçanërisht te shpendët e egër. Virusi është përhapur globalisht gjatë pesë viteve të fundit dhe është zbuluar edhe te disa gjitarë, duke rritur rrezikun e kalimit te njerëzit.
Simulimi rikrijon modelin në një fshat të vogël në Tamil Nadu, Indi, ku ka mijëra ferma shpendësh. Në skenarët ku shpendët e infektuar asgjësohen herët, njerëzit nuk infektohen. Por kur masat vonohen, punëtorët infektohen dhe e përhapin virusin në familje e më tej në komunitet.
Studiuesit theksojnë se ekziston një “dritare e vogël” ndërhyrjeje – para se rastet të kalojnë shifrën 10 – ku kontrolli është ende i mundur. Pas përhapjes komunitare, vetëm masa të gjera si karantinat masive dhe vaksinimi i gjerë mbeten efektive. /Gazeta Shneta/


