Kur Lina e ka kuptuar se është shtatzënë me një tjetër vajzë, ajo ka vendosur t’i japë fund shtatzënisë, meqë burri i saj është nervozuar shumë prej idesë që të ketë vajzën e katërt, në vend të një djali.
Një vendim i tillë merret shpesh në Shqipëri dhe Ballkan, ku kultura dominuese patriarkale i ka shtyrë shumë familje që t’i kenë të gjitha shpresat në një djalë.
“Kur burri im e ka kuptuar që fëmija i katërt do të jetë vajzë, dhe nuk do të mund të kemi një djalë, ai është nervozuar aq shumë, sa gati më ka vrarë”, ka thënë Lina, e cila e ka përdorur një emër tjetër për ta mbrojtur identitetin.
“Kam qenë në gjendje të rrezikoj jetën time, vetëm të mos e lind atë fëmijë”, ka thënë 40-vjeçarja me lot në sy.
Ajo ka thënë se vazhdon të vuajë prej dhimbjeve që ka pësuar gjatë procedurës, që është kryer në kushte johigjienike, tre vjet më parë.
Edhe prej vlerësimeve më modeste, Shqipërisë i janë “zhdukur” mijëra vajza, pas shumë vjetëve të aborteve selektive.
“Kur prindërit e kanë mësuar që fetusi është vajzë, ata kanë vendosur që për arsye të ndryshme, ta abortojnë, sesa ta mbajnë”, ka thënë Manuala Bello, përfaqësuese e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsi, për zonën e Shqipërisë.
“Në 20 vjetët e fundit, 21.000 vajza janë zhdukur në Shqipëri”, i ka thënë ajo agjencisë së lajmeve AFP.
Për familjet që tashmë e kanë një vajzë, pothuajse një çerek kanë thënë se do të vendosnim të abortonin, sesa të kishin një tjetër vajzë në shtëpi, sipas një hulumtimi të kryer prej OKB-së.
“Debalanca sociale”
Në periudhën 2000 – 2020, Shqipëria është renditur e katërta në botë për hendekun në lindjet mes vajzave dhe djemve – me një mesatare të 111 djemve të lindur për 100 vajza, tregojnë të dhënat e OKB-së.
Një rritje e shkallës së edukimit besohet se ka ndihmuar në zvogëlim të margjinës në katër vjetët e ardhshëm, përfshirë një fushatë vetëdijesimi nga zyra e OKB-së në Shqipëri.
Shifrat janë “më të larta sesa mesatarja biologjike, e cila është rreth 105 djem për 100 vajza”, ka thënë Arjan Gjonca, profesor që specializon në çështje të demografisë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike.
“Mirëpo, nëse fenomeni përsëritet dhe nëse nuk merren masa ligjore… pasojat në të ardhmen do të çojnë në debalancë sociale”, ka paralajmëruar Gjonca.
Aborti është ligjor në Shqipëri deri në javën e 12-të të shtatzënisë, ndërsa më vonë lejohet vetëm me leje të posaçme të mjekëve.
Ndërprerjet e shtatzënisë të lidhura me gjininë e foshnjës, janë të paligjshme.
Mirëpo rritja e mundësive për të kuptuar gjininë e foshnjës, siç është analiza e gjakut – që mund të bëhet në shumë vende – nënkupton se dhënia fund e kësaj praktike është gjë e vështirë.
“Është tejet e vështirë të vërtetojmë që shtatzënia është ndërprerë, sepse fetusi ka qenë vajzë”, ka thënë gjinekologjia në Tiranë, Rubena Mosiu.




