Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka shkuar sot në zyre asamblistit Uran Ismaili, i cili është edhe ministër i Shëndetësisë.
Ahmeti po kërkon bashkëpunim nga MSH, për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, shkruan Gazeta Shneta.
Në një postim në Facebook, Ismaili ka thënë se ndërtimi i këtij spitali është zvarritur tash e një kohë.
“Prishtina ka nevojë për një spital të qytetit. Projekti dhe realizimi i tij ka vite që është zvarritur, duke lënë prishtinasit pa shërbime të merituara shëndetësore”, ka shkruar ai.
Ministri dhe asamblisti ka thënë se për avancimin e këtij projekti kishte një bisedë të frytshme dhe konstruktive me Ahmetin.
“Prishtina do të bëhet me spitalin e saj dhe rezultatet e para do të shihen së shpejti”, është zotuar ai.
Ahmeti në anën tjetër ka deklaruar se mirëpret bashkëpunimin e MSH-së dhe se së shpejti do të formohen grupet punuese për këtë projekt. /Gazeta Shneta/