Kuvendi i Kosovës dje ka miratuar Buxhetin për vitin 2022 në vlerë 2 miliardë e 748 milionë euro.
Në këtë buxhet janë përfshirë edhe dy pajisje, një akselerator për Qendrën Klinike Universitare në vlerë 1.8 milionë euro si dhe një MRI për Spitalin e Pejës në vlerë 500 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
“Buxheti për vitin 2022, përveç që është një nga buxhetet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës, po bëhet edhe më i veçantë tani që kemi votuar mjetet për një aparat të ri rrezatues, teknologji të reja me CT Stimulator në vlerë prej 1.8 milionë euro”, ka shkruar deputetja Duda Balje.
Ndërsa për MRI-në ka njoftuar deputetja e VV-së Fatmire Kollçaku. Ajo ka thënë se Spitali i Pejës do të bëhet me rezonancë magnetike pasi propozimi i saj ka kaluar në votimin e buxhetit.
Me 65 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022. Buxheti i planifikuar për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro.
Gjatë votimit të këtij ligji, opozita është larguar nga Kuvendi, ndërsa gjatë diskutimeve mbi amandamentimet e shumta, opozitarët kanë pasur vërejtje të shumta.Pas votimit të projektbuxhetit, janë mbyllur punimet e seancës së jashtëzakonshme, ndërsa kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se legjislativi do vijoj me punime sipas pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura të datave 25 e 26 nëntor dhe 6 dhjetor 2021.