Një lloj i ri dominues i virusit të gripit po shkakton rritje të ndjeshme të rasteve në të gjithë Evropën, duke ushtruar presion të madh mbi spitalet dhe shërbimet shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se sezoni i gripit ka nisur më herët se zakonisht dhe po zhvillohet me intensitet të lartë në shumë vende të kontinentit.
Të paktën 27 nga 38 shtetet e rajonit evropian po raportojnë aktivitet “të lartë ose shumë të lartë” të gripit, ndërsa në disa vende më shumë se gjysma e pacientëve me simptoma të ngjashme me gripin kanë rezultuar pozitivë, përfshirë Irlandën, Serbinë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, megjithëse ky variant i ri nuk duket të shkaktojë forma më të rënda të sëmundjes krahasuar me vitet e kaluara, përhapja e shpejtë dhe numri i madh i rasteve po çojnë në rritje të shtrimeve në spital, veçanërisht te personat mbi 65 vjeç dhe grupet e rrezikuara.
OBSH u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të forcojnë masat parandaluese, veçanërisht vaksinimin kundër gripit, duke e konsideruar atë mbrojtjen më efektive për të ulur barrën mbi sistemet shëndetësore dhe për të mbrojtur grupet më të ndjeshme të popullsisë.


