Përdorimi i antibiotikëve në foshnjëri mund të ndikojë negativisht në peshën trupore të fëmijëve më vonë gjatë jetës. Kështu ka zbuluar një studim i ri i paraqitur në Takimin e Shoqatave Akademike Pediatrike (PAS) 2025, i cili u mbajt nga 24 deri më 28 prill në Honolulu, SHBA.
Sipas rezultateve të hulumtimit, fëmijët që marrin antibiotikë brenda dy viteve të para të jetës kanë 9% më shumë gjasa të jenë mbipeshë dhe 20% më shumë rrezik për të qenë obezë, krahasuar me fëmijët që nuk janë ekspozuar ndaj antibiotikëve në këtë periudhë.
Studiuesit analizuan të dhënat e 33,095 fëmijëve të lindur në mënyrë natyrale në Finlandë dhe vlerësuan lidhjen mes përdorimit të antibiotikëve në periudha të ndryshme (para shtatzënisë, gjatë dhe pas saj) dhe indeksi i masës trupore (BMI) në moshën 2 dhe 12 vjeç.
Rezultatet treguan se vetëm përdorimi i antibiotikëve gjatë dy viteve të para të jetës kishte një ndikim të dukshëm në rritjen e BMI-së, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
“Ekspozimi ndaj antibiotikëve në fillim të jetës lidhet më fort me shtimin në peshë në fëmijëri sesa përdorimi i tyre në fazat e tjera të hershme,” tha Dr. Sofia Ainonen, mjeke dhe autore prezantuese nga Universiteti i Oulus në Finlandë.
Ajo theksoi se profesionistët shëndetësorë duhet të jenë të kujdesshëm, sidomos kur përshkruajnë antibiotikë për infeksione të sipërme respiratore, që shpesh nuk kërkojnë trajtim të tillë.
Studimi ngre shqetësime të reja në lidhje me përdorimin e tepruar të antibiotikëve në fëmijëri dhe ndikimin e mundshëm të tyre në epideminë globale të obezitetit, që në vitin 2022 ka prekur mbi 159 milionë fëmijë të moshës shkollore në mbarë botën./Gazeta Shneta/


