Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve dhe Klinika e Anestezionit në QKUK, kanë shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve për vdekjen e anesteziologut Hajrullah Saraçi.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet se i ndjeri ishte njeri punëtor, kolegial dhe gjithmonë afër pacientëve për t’i ndihmuar, transmeton Gazeta Shneta.
“Mungesën e tij do ta ndiejnë të gjithë punëtorët shëndetësorë në SP Vushtrri, komuniteti i mjekëve në përgjithësi dhe sidomos pacientët e këtij regjioni, për të cilët punoi gjatë tërë jetës”, thuhet në telegram.
Gjeni të plotë më poshtë:
E nderuar Familje Saraçi,
Të nderuar kolegë të AsKoAn dhe KAMI,
Sot, me dhimbje të thellë, pranuam lajmin se Dr Hajrullah Saraçi-Anesteziolog & Intensivist, e humbi betejën e fundit të tij.
Gjatë jetës së tij profesionale, të cilën e ushtroi në Klinikën e Anesteziologjisë, ishte një njeri punëtor, kolegial dhe gjithmonë afër pacientëve për t’i ndihmuar.
Përkundër angazhimeve profesionale dhe menaxheriale, ishte i përkushtuar në ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme, të organizuara nga Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve.
Për një periudhë kohore, vazhdoi të punoj në institucione private shëndetësore, me të njëjtin vullnet.
E nderuar Familje e Dr Hajrullah Saraçi,
Në emër të Asociacionit Kosovar të Anesteziologëve dhe në emër të të gjithë punëtorëve të Klinikës së Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, pranoni ngushëllime të sinqerta për humbjen e familjarit tuaj, me të cilën bashkëndjehemi të gjithë ne.
Mungesën e tij do ta ndiejnë të gjithë punëtorët shëndetësorë në SP Vushtrri, komuniteti i mjekëve në përgjithësi dhe sidomos pacientët e këtij regjioni, për të cilët punoi gjatë tërë jetës.
Kujtimi për jetën dhe veprimtarinë e Dr Hajrullahut, do të jetë i përjetshëm !
Me respekt,
Dr Lulzim EMINI, Mr.Sci., Kryetar i AsKoAn
Prof.Dr Nehat BAFTIU, Drejtor i KAMI-QKUK