Autoriteti shëndetësor i Kanadasë, njofton të hënën se ka miratuar pilulën anti-COVID të Pfizer, Paxlovid, për të rriturit me rrezik të lartë drejt sëmundjes serioze të infeksionit.
Trajtimi oral u miratua pas një “shqyrtimi të përshpejtuar”, raportoi Health Canada në një deklaratë në rrjete sociale, duke shtuar se do të vazhdojë të monitorojë sigurinë dhe efektivitetin e barit, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
“Asnjë ilaç, përfshirë paxlovid nuk është zëvendësues për vaksinimin”, thuhet në deklaratë.
Ilaçi, i cili përbëhet nga dy lloje tabletash, është terapia e parë për COVID-19 që mund të merret në shtëpi dhe është potencialisht një hap i madh drejt përfundimit të pandemisë.
“Njoftimi i sotëm është veçanërisht i rëndësishëm pasi qasja në trajtime të lehta për t’u përdorur mund të ndihmojë në reduktimin e ashpërsisë së COVID-19 tek të rriturit që janë infektuar rishtazi dhe janë në rrezik të lartë për të përparuar në sëmundje serioze,” tha Theresa Tam, zyrtare e shëndetit publik në Kanada.
Paxlovid deri më tani është autorizuar në një pjesë të vogël të vendeve, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, ndërsa Bashkimi Evropian ka lejuar vendet anëtare ta përdorin atë përpara miratimit zyrtar si një masë emergjente kundër Omicron. /Gazeta Shneta/