Kryesuesi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së në një konferencë për media ka bërë thirrje për masa ndaj menaxherëve të njësive që kanë pasur performancë të dobët, teksa ka lavdëruar drejtorin Elvir Azizi për punën e tij.
Kryesuesi i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar Naim Bardiqi ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për punën gati një vjeçare të këtij organi drejtues. Ai tha se Bordi ka mbajtur 48 mbledhje dhe ka marr mbi 300 vendime dhe konkluzione, shkruan Gazeta Shneta.
Bardiqi ka folur për miratimin e statutit të ri të SHSKUK-së dhe Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës. Sipas tij këto dy dokumente do të ndikojnë në përmirësimin e menaxhimit dhe performancës së këtij institucioni.
“Për të arritur vizionin qeverisës përmes SHSKUK-së na është dashur të hartojmë dokumente dhe të plotësojmë/ndryshojmë sikurse Statuti dhe Rregullorja për organizimin e Brendshëm të SHSKUK-së. Ndryshimet në strukturën organizative dhe riorganizimi ka qenë i domosdoshëm për të mbështetur objektivat e Ministrisë së Shëndetësisë. Rregullorja përcakton qartë përgjegjësitë dhe rrit përgjegjësinë”, ka deklaruar Bardiqi.
Ai ka thënë se në vitet e kaluara SHSKUK nuk i ka arritur objektivat e veta dhe tani i është mirënjohes drejtorit Elvir Azizi që sipas tij ka arritur ta përmirësoj gjendjen.
“Gjatë këtyre viteve SHSKUK nuk i ka arritur objektivat mirëpo tani për rezultatet i jemi mirënjohës drejtorit Elvir Azizi që me angazhimin e tij ka arritur të përmirësoj gjendjen në institucion qoftë me numrin e shërbimeve, zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe investimet në pajisje dhe renovime. Ne e inkruajojmë drejtorin dhe stafin që për ata përgjegjës që nuk e kanë arritur minimumin e performancës, që të ndërmerr veprimet e duhura për përmirësimin e gjendjes në SHSKUK”, ka deklaruar Bardiqi.
Ai ka folur edhe për një strukturë që sipas tij nuk e ka lejuar SHSKUK-në që të menaxhohet sipas legjislacionit.
“Gjithashtu kemi vërejtur se një strukturë e SHSKUK-së e ka bërë të pamundur menaxhimin e SHSKUK-së sipas legjislacionit. Është një strukturë jashtëzakonisht e shtrirë në kupolën e saj dhe nuk e ka formën e piramidës ashtu siç do të duhej ta kishte në mënyrë që të ketë menaxhim cilësor dhe në përputhje me legjislacionin”, ka deklaruar Bardiqi.
Bardiqit do t’i skadoj mandati si kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së në fund të këtij muaji. /Gazeta Shneta/



