Barnat e njohura për trajtimin e obezitetit dhe diabetit të tipit 2, si semaglutidi, mund të kenë përfitime të rëndësishme edhe për fertilitetin, sipas dy studimeve të reja që po tërheqin vëmendjen e specialistëve.
Fertiliteti është i lidhur ngushtë me shëndetin metabolik, ndërsa mbipesha dhe obeziteti mund të shkaktojnë çrregullime hormonale, rezistencë ndaj insulinës dhe inflamacion kronik, faktorë që ndikojnë negativisht në aftësinë riprodhuese si te gratë ashtu edhe te burrat, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një analizë paraprake e studimit “RESTORE”, tregoi se semaglutidi mund të përmirësojë shëndetin riprodhues te gratë me sindromën metabolike policistike të vezoreve (PMOS), e njohur më parë si sindroma e vezoreve policistike (PCOS). Studiuesit analizuan pjesëmarrëse të moshës 12 deri në 35 vjeç që humbën të paktën 10% të peshës trupore gjatë trajtimit.
Rezultatet treguan përmirësime më të hershme se sa pritej në treguesit e fertilitetit, duke sugjeruar se semaglutidi mund të ndihmojë njëkohësisht në humbjen e peshës, balancimin hormonal dhe rikthimin e ovulacionit. Ekspertët theksojnë se ulja e peshës mund të ndihmojë në rregullimin e ciklit menstrual dhe të rrisë mundësinë për shtatzëni.
Ndërkohë, një analizë e pesë studimeve klinike e prezantuar në kongresin “ENDO 2026”, sugjeron se barnat e grupit GLP-1 nuk dëmtojnë fertilitetin mashkullor dhe mund të përmirësojnë nivelet e testosteronit, cilësinë e spermës dhe parametrat hormonalë te burrat me obezitet.
Në disa prej studimeve, pjesëmarrësit që përdorën semaglutid ose liraglutid shfaqën përmirësim të formës së spermatozoideve, rritje të testosteronit dhe përmirësim të profilit metabolik. Studiuesit vlerësojnë se trajtimi i obezitetit mund të jetë një alternativë më e favorshme sesa terapia me testosteron, pasi ndihmon në rikthimin natyral të hormoneve pa dëmtuar prodhimin e spermës.
Megjithëse rezultatet konsiderohen premtuese, autorët theksojnë se nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata për të konfirmuar ndikimin e këtyre barnave në fertilitet. Megjithatë, gjetjet forcojnë idenë se trajtimi i obezitetit dhe çrregullimeve metabolike mund të luajë një rol kyç në përmirësimin e shëndetit riprodhues te të dyja gjinitë. /Gazeta Shneta/


