Barnat e njohura për humbje peshe ndihmuan fëmijët dhe adoleshentët të ulnin peshën dhe nivelet e sheqerit në gjak, sipas një rishikimi të ri.
Studimi i fundit tregon se barnat për humbje peshe janë efektive edhe tek fëmijët dhe të rinjtë, në një kohë kur popullariteti i tyre po rritet gjithnjë e më shumë.
Mes tjerash, studimi zbuloi se barnat e njohura si agonistë të receptorëve GLP-1 përmirësuan ndjeshëm shëndetin e të rinjve me obezitet ose diabet të tipit 2.
Këto barna, që përfshijnë emra tregtarë si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound, ndihmojnë në humbjen e peshës duke imituar një hormon që ul oreksin.
Shoqata të shëndetit të fëmijëve, si Shoqata Ndërkombëtare për Diabetin Pediatrik dhe të Adoleshentëve (ISPAD), i rekomandojnë këto barna vetëm për një grup të kufizuar të rinjsh me obezitet dhe diabet.
Analiza, e botuar në revistën “JAMA Pediatrics”, përfshiu të dhëna nga 18 prova klinike me rreth 1,400 pjesëmarrës të moshës 6 deri në 17 vjeç.
Ilaçi uli ndjeshëm nivelet e sheqerit në gjak tek fëmijët me diabet tip 2 dhe solli humbje peshe më të madhe tek ata me obezitet, krahasuar me grupin që mori placebo.
Nuk u gjetën dallime domethënëse në mendime apo sjellje vetëvrasëse. Fëmijët që morën ilaçet patën efekte anësore gastrointestinale, për të cilat studiuesit theksuan se duhen vëzhguar më tej. Tek të rriturit, këto shpesh shfaqen si nauze dhe të vjella. Megjithatë, shumica e provave kishin periudha të shkurtra ndjekjeje.
“Nevojiten studime më të gjata dhe më gjithëpërfshirëse mbi popullata pediatrike në kushte reale, për të udhëzuar mbi kohëzgjatjen dhe përdorimin më të gjerë tek të rinjtë,” tha Jiang Bian, një nga autorët e studimit dhe shkencëtar i të dhënave shëndetësore në Universitetin e Indianas, SHBA.
Efektet afatgjata
Barnat mund të ndihmojnë në frenimin e rritjes së normave të obezitetit tek fëmijët, një shqetësim i kahershëm për ekspertët.
Në nivel global, afro 1 në 10 fëmijë është obez, sipas UNICEF-it.
Obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun për probleme shëndetësore gjatë gjithë jetës, si diabeti, hipertensioni, sëmundjet e zemrës dhe mëlçia yndyrore. Studime të mëparshme tregojnë se fëmijët me obezitet të rëndë jetojnë dukshëm më pak.
“Ndoshta fëmijët dhe adoleshentët mund të përfitojnë më shumë, pasi ndërhyrja bëhet herët,” tha Dr. Mohamad Maghnie nga Instituti Giannina Gaslini në Itali dhe anëtar i Shoqatës Evropiane për Endokrinologjinë Pediatrike (ESPE).
Ai shtoi se barnat GLP-1 mund të ofrojnë “një dritare mundësie për të përmirësuar shëndetin e të rinjve sa më herët të jetë e mundur”, duke theksuar edhe rëndësinë e parandalimit të obezitetit.
Megjithatë, studiuesit pranojnë se ka ende shumë pikëpyetje mbi sigurinë afatgjatë të këtyre barnave për fëmijët, koston e tyre dhe ashpërsinë e efekteve anësore.
“Barnat GLP-1 mund të shërbejnë si një mjet i përkohshëm për të përmirësuar peshën dhe shëndetin metabolik, ose si një urë drejt ndërhyrjeve të tjera, por ende nuk dimë efektet e tyre afatgjata mbi rritjen, pubertetin, shëndetin e kockave apo zhvillimin psikosocial,” tha Bian. /Gazeta Shneta/


