Një raport parlamentar francez mbi TikTok e kritikon ashpër platformën, duke e akuzuar se i ekspozon fëmijët ndaj përmbajtjeve të rrezikshme.
Arthur Delaporte, deputet i Partisë Socialiste dhe kryetar i hetimit parlamentar mbi TikTok, tha të enjten se aplikacioni i famshëm i videove të shkurtra ka “rrezikuar me qëllim shëndetin dhe jetën e përdoruesve të tij”, duke u shfaqur fëmijëve përmbajtje të dëmshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ai e quajti këtë një “kurth algoritmik” që dëmton të rinjtë dhe propozoi vendosjen e një “ore policore digjitale” për të kufizuar kohën para ekranit për adoleshentët.
Deklaratat e tij vijnë teksa komisioni publikoi rezultatet e hetimit të nisur në mars, i cili shqyrtoi ndikimin e TikTok në mirëqenien mendore të të rinjve.
Në fund të vitit 2024, një grup familjesh e çuan TikTok-un në gjykatë, duke e akuzuar se u shfaqte fëmijëve të tyre përmbajtje që mund të çonin deri në vetëvrasje.
Ndërkohë, raportuesja e komisionit, deputetja Laure Miller tha se përdorimi i TikTok-ut nga adoleshentët po shkakton probleme me përqendrimin, çrregullime të gjumit dhe ulje të vetëvlerësimit.
Kompania kineze ‘ByteDance’, që zotëron TikTok-un, tha se ka vendosur një sistem moderimi të mbështetur nga inteligjenca artificiale (AI) për të promovuar përdorimin e shëndetshëm dhe të sigurt të aplikacionit.
Por deputetët francezë i konsideruan këto masa të pamjaftueshme.
Ligjvënësit propozuan një “orë policore digjitale” për adoleshentët 15–18 vjeç, nga ora 22:00 deri në 08:00.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron shprehet pro një ndalimi të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç. /Gazeta Shneta/




