Bordi Drejtues i SHSKUK-së nuk e ka aprovuar Rregulloren e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës, pasi u propozua që në këtë akt të përfshihet edhe themelimi i departamentit për arsim dhe shkencë.
Shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores së brendshme për sistematizimin e vendeve të punës ishte një nga pikat e rendit të ditës së Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të mbajtur sot, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë rregullore dha një propozim anëtari i Bordit Dren Boshnjaku. Ai rekomandoi që të inkorporohet Departamenti për arsim dhe shkencë, si dhe propozoi edhe përshkrimin e detyrave.
“Çështja e arsimit dhe shkencës klinike e cila është e paraparë edhe në Statutin e SHSKUK-së. Unë propozoj që të inkorporohet në rregullore edhe kjo kompenentë sepse arsimi dhe shkenca klinika dhe SHSKUK kanë pasur rrugë të ndara dhe në raste edhe kundërshtime gjë që unë mendoj se nuk i shkon në favor as fakultetit as shskusk.
Boshnjaku ka propozuar që në rregullore të përcaktohet themelimi i një departamenti për arsim dhe shkencë si dhe të ketë drejtor të propozuar nga radhët e profesorëve të fakultetit të mjekësisë.
Propozimi i Boshnjakut nuk është pranuar në këtë pikë nga kryesuesi Bardiqi, i cili tha se çështja është bazike dhe do të duhej të diskutohej në grup punues.
Ai ka rekomanduar që rregullorja të kthehet sërish tek grupi i punës për shkak të propozimit për departamentin e arsimit dhe shkencës, si dhe një dileme të ngritur nga anëtarja Vjollca Kodolli për koeficientin e pagës së sekretarit të Bordit.
Bardiqi ka thënë se shtimi i një departamenti për arsim dhe shkencë do të parandalojë SHSKUK-në që të kryej misionin e vet, pasi sipas tij është e pamundur të menaxhohet ky institucion me kaq shumë njësi.
Kryesuesi ka kërkuar edhe mendimin e drejtorit të SHSKUK-së Elvir Azizi i cili ka kërkuar që rregullorja të aprovohet kshtu siç është propozuar nga grupi punues, por Bardiqi e ka kundërshtuar duke thënë se propozimet që janë dhënë do të duhej të diskutoheshin në grup e jo në bord.
“Kthehet në grupin punues për shkak të dilemave të çështjeve edukative shkencore, si dhe rregullimin e koeficientëve të pagave”, ka deklaruar Bardiqi. /Gazeta Shneta/