Instituti i Kërkimeve për Kancerin (Cancer Research Institute – CRI) ka lançuar një databazë të re, unike në llojin e saj, të përgatitur për inteligjencën artificiale, me synimin për të përshpejtuar kërkimin shkencor dhe zhvillimin e trajtimeve në imunoterapinë e kancerit. Kjo nismë bashkëpunuese synon të kapërcejë probleme të kahershme në kërkimin onkologjik, veçanërisht mungesën e standardizimit dhe ndarjes globale të të dhënave.
Databaza, e quajtur “CRI Discovery Engine”, është zhvilluar në bashkëpunim me Shkollën e Mjekësisë e Universitetit Stanford, Shkolla e Mjekësisë Perelman e Universitetit të Pensilvanisë, Qendra për Kancer Memorial Sloan Kettering dhe kompaninë bioteknologjike 10x Genomics, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në fazën e parë, ajo do të fokusohet në melanomë dhe kancer kolorektal, duke përfshirë jo vetëm trajtimet e suksesshme, por edhe ato që kanë dështuar, për të kuptuar më mirë pse terapitë funksionojnë ose jo.
Platforma drejtohet nga tre studiues kryesorë: Andrea Schietinger dhe Ansuman Satpathy, të dy hetues CRI STARs, si dhe E. John Wherry, anëtar i këshillit shkencor të CRI.
Qëllimi kryesor është adresimi i dy pengesave madhore në akademi: ndarja e kufizuar e të dhënave dhe riprodhueshmëria e dobët e rezultateve eksperimentale.
Studime të mëparshme kanë treguar se më pak se gjysma e gjetjeve në biologjinë e kancerit mund të riprodhohen me besueshmëri. Edhe pse prodhohen sasi të mëdha të dhënash çdo vit, vetëm rreth 16% e tyre janë publike dhe vetëm 1% plotësojnë standardet për ripërdorim kuptimplotë.
Duke ofruar të dhëna të standardizuara, me rezolucion të lartë dhe të optimizuara për AI dhe mësimin makinerik, “CRI Discovery Engine”, synon të krijojë një burim të gjallë që ndihmon shkencëtarët në mbarë botën të kuptojnë më mirë reagimin dinamik të sistemit imunitar ndaj imunoterapisë dhe të përshpejtojnë zbulimet në këtë fushë jetike. /Gazeta Shneta/


