Sipas një studimi të ri, diagnostikimi i demencës ndodh mesatarisht 3.5 vjet pasi shfaqen simptomat, ndërsa për ata me demencë me fillim të hershëm, koha mesatare është edhe më e gjatë — rreth 4.1 vjet.
Demenca është një sëmundje e vështirë për t’u diagnostikuar për disa arsye: nuk ekziston një test i vetëm diagnostikues dhe simptomat shpesh ngatërrohen me ato të sëmundjeve të tjera. Në fazat e hershme, shenjat mund të jenë shumë të lehta për t’u vënë re edhe nga mjekët, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), raportoi se në vitin 2021 rreth 57 milionë njerëz në botë jetonin me demencë, një term që përfshin sëmundje si Alzheimeri dhe çrregullime të tjera që ndikojnë në kujtesë dhe të menduarit.
Studiuesja Vasiliki Orgeta nga University College London, autore kryesore e studimit të publikuar në “International Journal of Geriatric Psychiatry”, thekson se diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të ndihmuar individët dhe familjet e tyre të planifikojnë kujdesin dhe jetën e përditshme. Po ashtu, ndihmon sistemin shëndetësor të veprojë në mënyrë parandaluese, jo vetëm reaguese.
Zbulimet tregojnë nevojën urgjente për të përmirësuar ndërgjegjësimin publik, trajnimin e profesionistëve shëndetësorë dhe rrugët e referimit për diagnostikim më të shpejtë dhe efikas të demencës. /Gazeta Shneta/


