Një studim i fundit ka zbuluar praninë e pegivirusit njerëzor (HPgV) në trurin e disa pacientëve që vuanin nga sëmundja e Parkinsonit.
Virusi, i cili zakonisht nuk shkakton simptoma, mund të luajë rol në zhvillimin e sëmundjeve neurodegjenerative.
Studiuesit analizuan trurin e 10 pacientëve me Parkinson dhe 14 të tjerëve si grup kontrolli. HPgV u gjet në gjysmën e pacientëve me Parkinson, por në asnjërin nga të tjerët.
Gjithashtu u vunë re ndryshime në sistemin imunitar të pacientëve të infektuar me virusin, sidomos tek ata me mutacione gjenetike të lidhura me Parkinsonin.
Ky zbulim nuk vërteton shkakun, por sugjeron një lidhje të mundshme midis infeksioneve virale dhe dëmtimeve të trurit. Ekspertët theksojnë se duhen më shumë studime për të kuptuar rolin e saktë të virusit.
Sëmundja e Parkinsonit mbetet e vështirë për t’u kuptuar, pasi shkaktarët janë të shumtë dhe të ndërlikuar – duke përfshirë gjenetikën, ambientin dhe tani ndoshta edhe viruset.Tiranapost/al


