Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të testohen nëse nuk kanë shenja klinike të koronavirusit Covid-19. Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit Kombëtar Prof. Naser Ramadani në konferencën e mbajtur sot bashkë me ministrin e Shëndetësisë Dr. Arben Vitia.
Vitia ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar procedurën për blerjen e 10 mijë testeve të reja dhe pas ardhjes së këtij kontingjenti do të ketë rritje të numrit të testeve pasi për këtë janë dakorduar edhe me profesorët Naser Ramadani dhe Lul Raka, shkruan Gazeta Shneta.
E Raka sot në një postim në Facebook ka rekomanduar testimin e të gjithë deputetëve që kanë marr pjesë në seancën e fundit, si dhe punëtorët e administratës së Kuvendit të Kosovës.
Por drejtori i Institutit, Ramadani, ka thënë se deputetët nuk do të testohen nëse nuk kanë shenja klinike.
“Rekomandimet nuk janë normativ ditor por rekomandime që në rast nevoje shkojnë deri në këto shifra. Laboratori mund t’i bëj këto shifra por nuk mund të bëjmë shifra ditore vetëm sa për të mbush normativat sepse janë problem logjistika dhe resurset humane, por cdo rekomandim është i mirëseardhur”.
“Çdo deputet është qytetar i Kosovës dhe të gjithë i nënshtrohen protokolleve të Institutit, MSH-së dhe OBSH-së, të cilat nënkuptojnë se çdo kush që ka shenja dhe simptoma klinike për koronavirus duhet të testohet. Asnjëri nuk është i përjashtuar, por protokolleve duhet t’i përmbahemi në mënyrë strikte”, ka thënë Ramadani.
Vitia në anën tjetër ka deklaruar se asnjë deputet nuk është i përjashtuar por nuk do të jetë as i privilegjuar. /Gazeta Shneta/