Një studim i ri i publikuar në “New England Journal of Medicine”, ka zbuluar se trajtimi i diabetit gestacional që në fillim të shtatzënisë, pa pritur konfirmimin me një test të përsëritur të tolerancës orale të glukozës (OGTT), përmirëson ndjeshëm rezultatet e foshnjave pas lindjes.
Sipas studimit, gratë e diagnostikuara me diabet gestacional para javës së 20-të të shtatzënisë patën përfitime të dukshme kur trajtimi filloi menjëherë, shkruan Health News transmeton Gazeta Shneta.
Incidenca e rezultateve të pafavorshme neonatale – si lindja e parakohshme, trauma gjatë lindjes, pesha e lartë në lindje, vështirësitë në frymëmarrje, nevoja për fototerapi, lindja e vdekur, vdekja neonatale apo distocia e shpatullave – ishte 24.9% tek grupi i trajtuar menjëherë, krahasuar me 30.5% tek gratë që morën trajtim vetëm pas konfirmimit të testit OGTT në javët 24–28 të shtatzënisë.
“Kjo provë e dizajnuar mirë ofron informacion të vlefshëm mbi përfitimet dhe kufizimet e ekzaminimit dhe trajtimit të hershëm të diabetit gestacional,” shkroi Dr. Michael F. Greene nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusets dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit.
Ai dhe kolegët theksuan se rezultatet ngrejnë pyetje mbi vlefshmërinë e kritereve të vendosura për testimin në javët 24–28, sidomos kur trajtimi i hershëm mund të shoqërohet edhe me rreziqe, si rritja e lindjeve në moshë të vogël gestacionale.
Studiuesit shtuan se përparimi i shtatzënisë, sidomos gjatë tremujorit të parë, shoqërohet me ndryshime natyrore të glikemisë, duke e bërë sfidues përcaktimin e kritereve të sakta diagnostikuese për këtë periudhë. /Gazeta Shneta/


