Sëmundja inflamatore e zorrëve (IBD) është një term që përfshin disa sëmundje që prekin zorrët, përfshirë sëmundjen e Krohn-it dhe kolitin ulceroz.
IBD shfaqet kur sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e zorrëve, duke shkaktuar inflamacion dhe simptoma si dhimbje, ndryshime në lëvizjet e zorrëve dhe humbje peshe shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Shpesh, njerëzit me IBD mund të lehtësojnë simptomat duke modifikuar dietën ushqyese, duke përjashtuar disa ushqime dhe duke përfshirë të tjera.
Tani, një studim ka zbuluar se një dietë e bazuar në ushqime bimore të pasura me lëndë ushqyese mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut për zhvillimin e IBD dhe të zvogëlojë nevojën për ndërhyrje kirurgjikale tek ata që tashmë janë të diagnostikuar me këtë sëmundje.
Disa ndryshime dietike mund të ndihmojnë në kontrollin e simptomave të IBD, duke përfshirë:
– Mbajtjen e një ditari ushqimor për të identifikuar ushqimet që shkaktojnë simptoma proinflamatore.
– Kufizimin e konsumit të produkteve të bulmetit.
– Zvogëlimin e yndyrave të pashëndetshme dhe rritjen e marrjes së acideve yndyrore omega-3.
– Shmangien ose kufizimin e ushqimeve pikante, kafeinës dhe alkoolit.
– Kufizimin e fibrave të larta, veçanërisht në rastet kur zorra është ngushtuar.
– Konsumimin e vakteve të vogla dhe të shpeshta.
– Pirjen e mjaftueshme të ujit.
– Marrjen e suplementeve të vitaminave dhe mineraleve për të parandaluar mungesat. /Gazeta Shneta/


