Disa forma të kontracepsionit hormonal mund të lidhen me një rrezik më të lartë për sulm ishemik në tru dhe infarkt në zemër, sipas një studimi të ri.
Ky studim, i publikuar më 12 shkurt në revistën “The BMJ”, analizoi përdorimin e kontraceptivëve dhe rrezikun kardiovaskular te mbi 2 milionë gra daneze, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Në krahasim me gratë që nuk përdorin kontraceptivë hormonal, rreziku më i madh u pa te ato që përdornin unazën vaginale ose plastrekun për lëkurë me përbërje të kombinuar (pra që përmbajnë estrogjen dhe progestinë). Unaza e rriti rrezikun për sulm në tru me 2.4 herë dhe për infarkt me 3.8 herë, ndërsa plastreku për lëkurë e rriti rrezikun për sulm në tru me 3.4 herë.
Pilula e kombinuar – e cila përmban gjithashtu estrogjen dhe progestinë dhe është forma më e zakonshme e kontracepsionit – dyfishoi rrezikun për sulm në tru dhe infarkt, sipas të dhënave.
Edhe kontraceptivët që përmbajnë vetëm progestinë, përfshirë pilulat dhe implantet, rritën paksa rrezikun për këto ngjarje, megjithëse më pak sesa pilulat e kombinuara.
“Edhe pse kontraceptivët hormonalë u lidhën me rrezik më të lartë kardiovaskular, numri i grave që pritet të pësojnë infarkt ose sulm në tru për shkak të përdorimit të tyre është vërtet mjaft i vogël,” tha Dr. Jennifer Lewey, drejtoreshë e Programit për Shëndetin Kardiovaskular të Grave në Penn Medicine dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin e Pensilvanisë. /Gazeta Shneta/


