Barnat për përmirësimin e performancës sportive vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh për shëndetin e sportistëve dhe integritetin e garave, ndërsa shkencëtarët theksojnë se ende mungojnë studime të plota për efektet e tyre afatgjata.
Sportistët testohen sipas listës së substancave të ndaluara nga World Anti-Doping Agency (WADA), e cila përfshin jo vetëm substanca që dëmtojnë shëndetin, por edhe ato që përmirësojnë performancën ose bien ndesh me etikën sportive.
Në podkastin e Euronews, ekspertët theksuan se studimet mbi dopingun janë të kufizuara për arsye etike, pasi nuk lejohet testimi i dozave të larta tek njerëzit, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas specialistëve si Francesco Botrè dhe studiuesve të tjerë, vështirësitë rriten kur sportistët përdorin disa substanca njëkohësisht, duke e bërë të vështirë të kuptohet ndikimi i secilës veçmas.
Ndër substancat më të njohura janë steroidet anabolike, të cilat përdoren për rritjen e masës muskulore, veçanërisht në sporte si atletika apo peshëngritja.
Studimet tregojnë se ato mund të shkaktojnë zmadhim të zemrës, trashje të mureve të saj, çrregullime hormonale dhe madje ndryshime në tru. Po ashtu, eritropoetina (EPO) rrit prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe përdoret për të shtuar qëndrueshmërinë, sidomos në çiklizëm dhe gara të gjata.
Një tjetër grup janë beta-bllokuesit, ilaçe për zemrën që ndalohen në sporte si qitja, pasi ulin rrahjet e zemrës dhe stresin. Ato mund të shkaktojnë lodhje, marramendje dhe probleme seksuale, ndërsa disa studime i lidhin edhe me rrezik për sëmundjen e Parkinsonit.
Megjithëse shumë efekte janë dokumentuar, ekspertët theksojnë se pasojat afatgjata mbeten të paqarta. Për këtë arsye, dopingu vazhdon të jetë jo vetëm çështje etike në sport, por edhe një rrezik serioz për shëndetin e sportistëve. /Gazeta Shneta/


