Rreth katër muaj pas nënshkrimit të kontratës, është bërë dorëzimi i pajisjes së rezonancës magnetike në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Spitali i Pejës përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se rezonanca magnetike ka arritur në këtë institucion dhe ka filluar instalimi i saj, shkruan Gazeta Shneta.
Liferimi i MRI-së në këtë spital ka ndodhur pas rreth katër muajsh prej kur ishte nënshkruar kontrata më datën 15 gusht të këtij viti.
“Lloji i aparatit të Rezonancës Magnetike që tashmë disponojmë është Tesla 1.5 i prodhuesit të mirënjohur Simens”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Gazeta pati raportuar për këtë pajisje edhe gjatë procesit të tenderimit. Spitali e kishte përzgjedhur kompaninë “Medbrand” ndonëse oferta e saj ishte 58 mijë euro më shtrenjt sesa vlera e parashikuar. Në favor të kompanisë kishte vendosur edhe OSHP, përkundër vendimit të ekspertit shqyrtues për anulimin e procedurës. Paratë shtesë për këtë pajisje ishin siguruar nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/