Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani ka bërë të ditur se fluksi i pacientëve është rritur veçanërisht ditët e fundit dhe gjatë fundjavës, duke u reflektuar në të gjitha njësitë shëndetësore.
‘’Gjendja aktuale në kryeqytet për sa i përket numrit të pacientëve me viroza është rritur këto 2-3 javët e fundit, por në veçanti kemi një fluks e rritje të pacientëve me simptoma të një gripit sezonal sidomos vikendin e kaluar dhe sot’’, tha Hashani për Front Online.
Sipas Drejtori të QKMF-së Valdet Hashanit pacientët po paraqiten me një gamë të gjerë simptomash, përfshirë infeksione të traktit të sipërm respirator, dhimbje të grykës, temperaturë dhe ethe, si dhe shqetësime të sistemit gastro-intestinal. Simptomatologjia është e ndryshme në varësi të moshës dhe gjendjes shëndetësore të pacientëve, duke përfshirë kollë, teshtitje, dhimbje muskulore, marramendje, por edhe raste me vjellje dhe bark qitje.
‘’ Kjo edhe si dëshmi se në të gjitha qendrat kemi rritje të numrit të pacientëve, qoftë edhe për simptome të infeksioneve të traktit të sipërm respirator, grykës, sistemit gastro-intestinal, por edhe pacientë me vetëm temperature dhe ethe. Simptomatologjia është e ndryshme te pacientët dhe grup moshat. Kemi pacientë me simptoma të kollës, teshtitjes, etheve, temperaturës, dhimbjeve muskulore, marramendjes, por edhe me vjellje dhe bark qitje’’, deklaroi Hashani.
Drejtori i Qendrës Familjare në Prishtinë tha se në rastet kur vlerësohet e nevojshme, po kryhen edhe analiza laboratorike në pothuajse të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë dhe zonat rurale. Të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për infeksione virale, por ka edhe pacientë që, për shkak të vonesës në paraqitje për trajtim, zhvillojnë infeksione bakteriale, çka kërkon trajtim me antibiotik.
Terapia përshkruhet vetëm nga mjekët, bazuar në vlerësimin profesional dhe ekzaminimet shtesë, ndërsa pacientët mbeten nën monitorim të vazhdueshëm.
‘’ Në rastet kur ka nevojë bëjmë edhe analizat laboratorike, pothuajse në të gjitha qendrat në Kryeqytet dhe Fshatra ku i kemi QMF-të. Në shumicën e rasteve kemi të dhëna për infeksione virale, por ka gjithashtu pacientë të cilët për shkak të zgjatjes së kohës për trajtim kanë edhe infeksione bakteriale, ku nevojitet trajtimi me antibiotik. Gjithsesi të gjithë pacientët tanë janë nën monitorim të stafit tonë profesional dhe bazuar në simptomtologji por edhe ekzaminime shtesë e përshkruajnë terapinë. Kemi pacientë qe ende edhe pa nevojë kërkojnë për t’ju përshkruar antibiotik, por kjo është nën kompetencën e mjekëve tanë’’, deklaroi Hashani për FrontOnline.
Drejtori tha se qendrat shëndetësore po raportojnë rregullisht çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe, pavarësisht kapaciteteve të kufizuara për shkak të mungesës së stafit, shërbimet po ofrohen pa ndërprerje.
‘’Ashtu si e ceka më lartë, këto ditët e fundit fluksi ka filluar të rritet dhe kemi raportime të rregullta të mjekëve tanë për çdo rast në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Për çdo gjendje të shpallur nga IKSHPK jemi të gatshëm dhe po punojmë me kapacitete të limituara edhe për shkak të numrit të vogël të stafit, me shpresa se do e rrisim numrin së shpejti’’, u shpreh Hashani.
Hashani: Grupmoshat e prekura nga viroza janë të ndryshme, me theks të moshuarit dhe fëmijët
Sipas vlerësimeve, drejtori i QKMF-së, Valdet Hashani tha se grup moshat e prekura janë të ndryshme, por më të rrezikuarit mbeten personat e moshuar, ata me sëmundje kronike dhe fëmijët, megjithëse raste ka edhe te të rinjtë.
‘’Grup mosha e pacientëve është variabile, por sigurisht dominojnë personat e moshuar, me sëmundje kronike, fëmijët por kemi edhe pacient të rinj. Gjithashtu kemi me gjendje gripozë edhe nga stafi ynë shëndetësor, çka në fakt e vështirësojnë pakë punën e ekipeve mjekësore’’, deklaroi Hashani.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare: Vaksinimi sezonal dhe masat higjienike mbeten forma kryesore e parandalimit të virozave
Drejtori i QKMF-së, Valdet Hashani rikujtoi rëndësinë e vaksinimit sezonal, i cili ka nisur më 1 tetor, ndërsa qytetarëve që nuk janë vaksinuar u rekomandohet kujdes i shtuar në ambient familjar, përdorim i terapisë bazike për uljen e temperaturës dhe dhimbjeve, marrje e vitaminave dhe mineraleve, si dhe respektim i masave higjieno-sanitare.
‘’Fillimisht qytetarët do të duhej të ishin vaksinuar, meqë vaksinimi sezonal sivjet ka filluar me 1 tetor, por të gjithë ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, tani duhet të kujdesen për veten e tyre dhe familjarët e pa vaksinuar edhe në rrethana shtëpie, meqë marrja e një Paracetamoli, Ibuprof4ni apo diklofeni, apo te ngjashëm për të ulur temperaturën trupore apo dhembjet eventuale te kokës, trurit bëjnë efektin e mjaftueshëm. Marrja e vitaminës C, D, Mg e mineralet tjera’’, tha për Front Online Hashani.
Këshillat përfshijnë larjen e shpeshtë të duarve, ajrosjen e rregullt të hapësirave, dezinfektimin e sipërfaqeve të prekshme, shmangien e kontakteve të panevojshme me persona të sëmurë, përdorimin e maskave në ambiente me njerëz dhe konsumimin e shtuar të lëngjeve. Theksohet se parandalimi mbetet mënyra më e lehtë dhe më efektive për t’u mbrojtur nga gripi sezonal.
‘’Lani duart rregullisht me sapunë, sidomos pas teshtitjes dhe kollitjes, kështu pengoni infektimin e anëtarëve tjerë të familjes apo ata që vini në kontakt, ajrosini shpesh dhomat ku qëndroni, mos i prekni hundët, grykën , dezinfektoni tavolinën, dorezën e derës, teledirigjuesit dhe çdo gjë që prekni. Merrni ushqime të shëndetshme, flini mjaftueshëm dhe pushoni më gjatë se zakonisht, aktivitetet të jenë shumë të lehta’’, ka thënë Hashani.
Sipas drejtorit gjendjet virale zakonisht zgjasin nga tre deri në katër ditë, por mund të zgjasin më gjatë te personat me imunitet të dobësuar ose te ata që nuk pushojnë mjaftueshëm dhe nuk kujdesen për simptomat.
‘’Gjendjet virale apo gripet sezonale zgjasin, varësisht nga individët, nga 3-4 ditë por mund të zgjasin edhe më shumë te personat me imuniste të dobësuar, ata që nuk pushojnë mjaftueshëm, dhe nuk kujdesen për simptomat’’, thotë Hashani.



